PS shpalos politikën e jashtme

21/04/2013 00:00

Duke shpalosur programin për politikën e jashtme, përpara ambasadorëve të akredituar në Tiranë, kryesocialisti Rama e vuri theksin te marrëveshja historike, siç ai e quajti, mes Kosovës dhe Serbisë.

“Historia e asaj pjese të tokës shqiptare që quhet Kosovë, por edhe historia e sotme e shqiptarëve në këtë rajon është historia e një ndryshimi rrënjësor, e një përmbysjeje të rendit të gjërave dhe një rivendosje mbresëlënëse të hatashme në vendin e vet, të një të drejte historike të mohuar për shumë e shumë kohë”, deklaroi Rama.

Zoti Rama tha se, pas 23 qershorit, qeveria e re do të lërë pas qartazi dhe prerë retorikën nacionaliste, siç ai e quajti, duke i dhënë udhë bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Ndërkohë që, një tjetër prioritet i qeverisë së majtë do të jetë afrimi i mëtejshëm me Kosovën, përmes unifikimit të strategjive të bashkëpunimit në planin ekonomik, politik dhe social.

“Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, si një trupë e vetme, dy herë në vit, do të bëjë që shqiptarët, këtej e andej kufirit, të kenë, përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, një trupë, që do të mendojë, diskutojë e vendosë në rrafshin strategjik, për sigurinë energjitike të hapësirës shqiptare, në këto dy shtete. Për sistemin e unifikuar arsimor, në hapësirën që ndahet nga një kufi, i cili sot nuk përbën asnjë lloj pengese, për ta parë të ardhmen, si një hapësirë të përbashkët, dhe rrugën drejt së ardhmes, si një rrugë zhvillimi të përbashkët”, shtoi Rama.

Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve, kudo që ata ndodhen, do të jetë një tjetër detyrim, siç tha zoti Rama, i qeverisë së re të pas 23 qershorit.

Në përfundim, Edi Rama ka bërë edhe një ndarje të qartë, siç tha ai, mes socialistëve dhe demokratëve, në lidhje me çështjen e Kosovës.

Për zotin Rama, socialistët kanë qenë gjithmonë në mbështetje të saj, ndryshe nga kryeministri aktual, që ka punuar, siç tha ai, kundër shqiptarëve.

Edi Rama përmendi, që nga mbështetja e makinerisë luftarake serbe nga Berisha, me karburant kondrabandë gjatë periudhës së embargos, e deri te denigrimi, që i është bërë luftëtarëve të UCK-së nga pushteti demokrat i kohës.

Ashtu siç ai përmendi edhe rastin më të fundit të rrugës Durrës-Kukës, një projekt i nisur, siç tha zoti Rama, nga socialistët dhe, mbi të cilin u vodhën miliona euro nga demokratët.

Top Channel