PDIU në koalicionin e djathtë

21/04/2013 16:05

Kryesia e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet vendosi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit Berisha për koalicion parazgjedhor, në mbledhjen gjatë së cilës u bë edhe bilanci i katër viteve punë në Kuvendin e Shqipërisë.

”Kryesia e PDIU-t autorizoi kryetarin Idrizi që të nisë negociatat për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike”, shkruhej në deklaratën, në lidhje me punimet e këtij takimi.

Një vend të rëndësishëm në debatet e mbledhjes së strukturave më të larta të PDIU-t luajti rezoluta çame, “miratimi i së cilës ka një rëndësi historike dhe u arrit falë trysnisë së lëvizjes sonë dhe mbështetjes së qytetarëve shqiptarë”.

Në analizën e punës së katër viteve në Kuvend, veçohej se “PDIU është forca e parë që ngriti zërin për bashkimin ekonomik me Kosovën. Jemi forca e parë që kundërshtuam marrëveshjen e ujrave me Greqinë dhe që kërkuam amandamentet e censusit, të cilat frenuan orekset anti-shqiptare”.

Vendimi i PDIU-s për t’u rreshtuar në koalicionin e djathtë parazgjedhor vjen një ditë pasi kryeministri Berisha theksoi se “dyert janë të hapura”, për të gjithë partitë që duan t’i bashkohen koalicionit të mazhorancës aktuale.

Top Channel