PD riaktivizon akuzat ndaj Ramës

21/04/2013 19:45

Përmes zëdhënëses, Partia Demokratike riaktivizoi akuzat ndaj liderit të opozitës, Edi Rama. Selia blu tha se qytetarët presin përgjigje për lejen, që Rama i ka dhënë bashkëshortes, për ndërtimin e pallatit në Tiranë, si edhe për shtëpinë, që po ndërton në zonën e Dajtit.

“Unë jam sot këtu, për t’i bërë thirrje zotit Edi Rama, të mos fshihet si frikacak prapa sharjeve, me të cilat mbush sallat, kudo që shkon, dhe të bëjë me kurajo, përpara qytetarëve, transparencën që premtoi muaj më parë, për pallatin në pajë. Zoti Rama, qytetarët nuk duan fyerje për infermierët, por ata duan të dinë, se ku janë marrë 1 milion euro, me të cilat u ndërtua pallati 5-katësh i bashkëshortes suaj. Zoti Rama, qytetarët nuk duan që ju t’i quani fëmijët e tyre, dele që hyjnë në klasa, por ata kërkojnë nga ju që, me transparencë, t’u tregosh burimin e të ardhurave, me të cilat po ndërtoni rezidencën tuaj verore, në malin e Dajtit. Partia Demokratike kërkon nga ju zoti Rama, të lini mënjanë sharjet dhe fyerjet për mësuesit, nxënësit, infermierët, policët, fermerët dhe prodhimet e tyre dhe të bëni transparencën, si një detyrim ligjor e moral i çdo politikani, përndryshe pallati i familjes në lulishte, ndërtuar me leje të paligjshme, dhe burimi i të ardhurave të ndërtimit të tij, rezidenca juaj verore, çmimi i truallit dhe origjina e parave të ndërtimit të saj, do t’ju mbeten juve në kurriz, në çdo takim, në çdo sallë, në çdo kuti votimi”, tha Laura Vorpsi.

Top Channel