Me dorëheqjen nga anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Jani Janit, ky insitucion mbetet përfundimisht me 4 anëtarë, të propozuar nga mazhoranca qeverisëse.

Zoti Jani e dorëzoi paradite dorëheqjen nga detyra, duke iu bashkuar kështu aktit të disa ditëve më parë të dy anëtarëve të tjerë të KQZ-së, të propozuar nga opozita.

Në letrën e dorëheqjes, Jani Jani, i propozuar nga PBDNJ-ja, rendit disa arsye për largimin e tij përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Së pari, ai thotë se largohet për shkak të zhvillimeve të fundit politike, pas shkarkimit të një anëtari nga Kuvendi. Së dyti, për shkak të mungesës së reflektimit nga politika për situatën e krijuar në KQZ dhe, së treti, ai thotë se nuk mund të qëndrojë indiferent pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që vlerëson se “institucione shtetërore skajshmërisht të politizuara, përfshi edhe KQZ-në, po minojnë të drejtat e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje”.

Pas dorëheqjes së zotit Jani lind një afat i ri kohor 48 orësh për zëvendësimin e anëtarit, që u përket partive të vogla të opozitës, por besohet se do të ndiqet e njëjta linjë me Partinë Socialiste, e cila i ka lënë bosh vendet në KQZ.

Ky 48 orësh përkon edhe me skadimin e afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe, me sa duket, dorëheqja e Jani Janit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po lë të kuptohet se PBDNJ-ja ka vendosur përfundimisht të bashkohet në një koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste.

Top Channel