Berisha në takim me biznesmenët e rinj

21/04/2013 21:20

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me biznesmenët e rinj në kryeqytet.

Në fjalimin e tij përpara tyre, ai është shprehur: “Duhet të mbështesim të rinjtë në biznes, pasi, sipas tij, duhet të rritet pesha specifike e të rinjve në iniciativën e lirë”.

Ai ka theksuar se “ne duhet të mbështesim dhe Shqipërinë urbane, kemi projekte për këtë aspekt, por qeveria do të përcaktojë edhe fonde të tjera, që të mbështesim projektet e të rinjve”.

Berisha është shprehur i vendosur “për krijimin e një sistemi mikro-kreditimi për të rinjtë, duke synuar kështu arritjen e sa më shumë historive të suksesshme nga biznesmenët e rinj”.

Duke kaluar më pas nga të rinjtë, tek ajo që është bërë për thithjen e investimeve deri më tani, Berisha tha: “Nga viti 2005 kemi shpallur platformën për ta bërë vendin tërheqës për investitorët, – tha kryeministri Berisha. – Mesatarja e investimeve për 4 vitet e fundit është 1 mld USD. Ne ia dolëm që ekonomia shqiptare të mos bjerë në recesion. Reformat e qeverisë e mbrojtën ekonominë e vendit nga kriza. Do ta kalojë Eurozona krizën, por do të duhet kohë”.

Berisha theksoi faktin që “ka hequr TVSH-në për të gjitha makineritë bujqësore, duke insistuar se do të bëjë gjithcka për të arritur cilësitë më të mira për konsumatorin”.

Top Channel