Një studim i fundit i shërbimit të pediatrisë në qendrën spitalore
universitare “Nënë Tereza”, referon se në vendin tonë shumica e fëmijëve
infektohen për shkak të viruseve jo prej baktereve.

Për këtë, në vitin 2015 pritet që në kalendarin e vaksinave të përfshihet një dozë e re “mburoje” për fëmijët e vegjël. Gastroenteritet, apo të njohura ndryshe si çrregullimet e organizimit për shkak të viruseve mund të shkaktojnë probleme madhore për të vegjlit, ndaj në konferencën e pediatrisë ish-drejtoresha e QSUT-së, mjekja pediatre, Gjeorgjina Kuli, ka referuar të dhënat e studimit të fundit dhe ndryshimet që do të pësojë kalendari i vaksinimeve brenda dy vjetësh.

Në vendin tonë, por edhe në botë, rastet nga viti në vit janë në shtim dhe sipas pediatres infeksioniste, në QSUT Gjorgjina Kuli, nëse ato nuk parandalohen ato mund të rrezikojnë dhe jetën e fëmijëve, pasi dehidratimi është shkaktar që çon në ndërlikime të mëdha shëndetësore. Një prej tyre që ndikon është rotavirusi dhe për këtë virus në kalendarin e vaksinimit në vitin 2015 do të përfshihet një dozë e re imunizimi.

Të dhënat u bënë publike në konferencën e 14 të pediatrisë. “Tashmë nuk janë më bakteret shkaku i infeksioneve gastrointestinale, por janë viruset. Vendosja e etimologjisë virale është e vështirë. Në vendin tonë kanë hyrë disa teste të shpejta. Kështu që ne kemi bërë një studim te 171 fëmijë me çrregullime gastrointestinale në të cilën 28.8 për qind janë diaretë nga rotavirusi. E vetmja që e parandalon është vaksina”, tha Gjorgjina Kuli, pediatre infeksioniste, QSUT.

“ISKSH ka nxjerrë kontratën me qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, për miratimin e strategjisë kombëtare për fëmijët, duke siguruar që mirërritja, zhvillimi dhe kontrollet për mirërritjen e fëmijëve sipas protokolleve të aprovuara nga qendrat shëndetësore dhe vaksinimi deri në moshën 15 vjeç të kryhet falas”, tha Halim Kosova, ministër i Shëndetësisë.

Sipas tij, Shqipëria ka arritur një performancë të mirë e të kënaqshme sa i takon shëndetit të nënës dhe fëmijës, ndërkohë që pediatria shqiptare ka njohur zhvillime pozitive në vite.

Shërbimi terciar pediatrik, i përfaqësuar nga Departamenti i Pediatrisë në QSUT, mban në supe përgjegjësitë e liderit ndaj tërë pediatrisë shqiptare, si dhe të zgjidhjeve të vështirësive diagnostike e terapeutike të rasteve të referuara nga i gjithë vendi. Në rastet e nevojës së trajtimit ambulator me barna për patologji të caktuara, kjo kategori, përfiton nga barnat e listës së rimbursuar kundrejt recetës me rimbursim të lëshuar nga mjeku i familjes dhe librezës së shëndetit. Fëmijët 0-1 vjeç përfitojnë barnat në masën 100%, ndërsa të tjerët, sipas statusit të të siguruarit që gëzojnë dhe akteve të ISKSH.

Gazeta “Shqip”

Top Channel