Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga regjistrimi zyrtar i koalicioneve
parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në selinë e Partisë
Socialiste nisi të premten procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve
politike paraelektorale me partitë që përkrahin platformën dhe programin
e Partisë Socialiste për zgjedhjet e qershorit.

Marrëveshjet e nënshkruara të premten mbajnë firmën e kryetarit të PS-së Rama dhe mbi 40 firma të tjera kryetarësh të partive të vogla, që bëhen tanimë zyrtarisht pjesë e koalicionit opozitar.

Spartak Ngjela, Petro Koçi, Gjergj Koja dhe përfaqësues të tjerë ishin të parët që nënshkruan marrëveshjen me Partinë Socialiste, ndërsa mësohet se me LSI, Partinë SocialDemokrate, Partinë Demokracia Sociale do të ketë një marrëveshje dypalëshe.

“Ka një krizë për KQZ. Ai le ta mbajë me familjen e vet. Unë jam me partinë time dhe do të dal deputet”, tha Ngjela.

“Ky dokument nuk përmban kërkesat specifike të partive në raport me PS-në, por është dokumenti bazë, mbi të cilin ndërtohet kërkesa për regjistrim si koalicion në KQZ”, tha Koci.

Ndërkohë nga selia e PS-së mësohet se vijojnë bisedimet me Partinë Bashkimi për të Drejtat e NJeriut, për të konkluduar me një marrëveshje paraelektorale.

Top Channel