Pas deklaratës së lëshuar në publik dy ditë më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim zyrtarizon marrëveshjen për bashkimin e qendrimit të saj me këshilltarët e Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit.

Zyrtarizimi i marrëveshjes u njoftua nga nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili pas takimit që ky i fundit zhvilloi me strukturat e partisë në qytetin e Fierit.

“Pas kësaj, së shpejti do të kemi kontrollin edhe në Qarkun e Fierit”, tha zoti Vasili duke shtuar më pas se bashkëpunimi i të zgjedhurve vendorë të LSI-së me ata të PS-së nuk do të kufizohet vetëm në qarqet e paralajmëruara deri më tani, por do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Bashkëpunimi i parë mes këshilltarëve të LSI-së me ata socialistë u njoftua në Tiranë e Durrës. Në Këshillin Bashkiak të Tiranës u kërkua një mbledhje urgjente për shkarkimin e kreut të këtij këshilli, Njazi Kosovrasti.

Ky vendim pasoi votimin në Kuvend të shkarkimit të të propozuarit të LSI-së në KQZ-së, Ilirjan Muho nga Partia Demokratike me votat e 3 deputetëve të larguar nga Partia Socialiste.

Top Channel