“Mafiozi” Pupella në Tiranë

17/04/2013 17:30

Imazhi i tij është i lidhur kryesisht me rolet negative në filmat Italian për mafian.

Megjithatë Mario Pupella është një aktor mjaft i dashur për publikun. 55-vjeçari ka një karrierë të gjatë artistike si aktor dhe regjizor në kinemanë e vendit fqinj.

Pjesëmarrja në filimin “Shlyerja e mëkateve” e ka sjellë për herë të parë në Shqipëri.

“Është hera e parë që vij këtu. Duhet të rrëfej që ndihem si në Itali. E thashë që në çastet e para që zbrita këtu. Kinemaja ka zbuluar këtë fytyrë timen të ashpër, mbase, por unë jam njeri  i butë dhe i mirë. Në këtë film jam një kryetar mafie, që ka problemet e tij pasi pëson sulme nga mafia amerikane dhe druan se do t’i ikë nga duart udhëheqja e grupit, por edhe pushteti i territorit.  Dhe përpiqet të mbrohet. Në teatër bëj personazhe pozitive, ndërsa në kinema luaj pothuajse gjithnjë personazhe negative”, thotë Pupella.

“Nesër do të luaj në një pjesë të Pirandelos, “Njeriu, Bisha dhe Virtyti”, sapo të zbres në Palermo, në një teatër me 400 vende. Unë në jetë merrem me teatër. U bënë 10 vjet që kinemaja më ka zbuluar për rolet negative. Edhe kur luaj rolin e një peshkopi, është peshkop i keq. Tani pritet të vijë një film ku më në fund do të jem prift, një prift shumë i mirë.  Për këtë po vëzhgoj Papa Françeskun, që është simboli i mirësisë. Është shumë i ëmbël. Po i studioj mënyrën e të vepruarit, ëmbëlsinë e zërit. Duhet të sjell në jetë një personazh që të jetë simbol i mirësisë”.

Në filmi e regjizorit Carlo Fusco, një seri vrasjesh hap historinë e Davidit, i hutuar nga kujtimet për kohën kur jetonte në Sicili, kur i përkiste klanit të familjes Cortello e cila udhëhiqte mbi territore mafioze.

Davidi niset për t’u rikthyer në rrëjnët e tij dhe gjatë udhëtimit me tren takon At Lenoardin një prift afrikano-amerikan.

Ata kanë një të kaluar dhe një të tashme të përbashkët. Në tren gjendet edhe një grua misterioze e cila ka luajtuar një rol në të kaluarën e tij si prift.  

Pasi prezantohen, At Leonardi bën shumë pyetje i shtyrë nga kurioziteti, por edhe se ai e ndjen se njeriu i ulur përballë tij ka dicka që i peshon në mendje e që i bashkon të dy.

Ky film nuk eshte histori e vertete, por “fiction”. Nje prift dhe nje i verber, te cilet tregojne te kaluaren e tyre. Por, Pupella vetën më afër e ndien me teatrin.

“Kam 48 vjet që punoj. Por, gjithnjë me teatrin. Me kinemanë kam vetëm 10 vjet që merrem. S’e kam kërkuar kurrë. E kam kërkuar kur kam qenë 20 vjeç, kur isha ende i ri, por s’më ka pranuar. Pastaj s’e kam kërkuar më, edhe sepse jeta në teatër është shumë shpërblyese. Ka gjithnjë nga një personazh të ri, për të cilin ka kërkime më vete. Jam mirë në teatër. Kam gjithë jetën që e bëj, çdo ditë. Kam dhe akademinë e aktrimit, ku u jap mësim të rinjve, ku mësohet edhe kënga e vallëzimi,  oratoria, improvizimi, dhe unë jap mësime recitimi. Jam në kontakt me të rinjtë dhe jam mjaft i qetë. Por këto vitet e fundit teatri ka nisur të më lodhë fizikisht, sepse të rrish dy orë rresht në skenë, duhet të jesh 20 vjeçar. Në moshën time edhe mund të lodhesh”, rrëfen Pupella.

Pupella është shumë i famshëm edhe për role e tij në teatër ku ka interpretuar me sukses vepra të Pirandelos, Molierit, Ben Jonson dhe gjithashtu në teatro të ndryshme greke dhe romake.

Filmat ku ai ka interpretuar janë të shumtë, si roli i veçantë në filmin e vëllezërve Frazzi për Xhovani Falkonen si dhe përfshirja në “Scuadra Antimafia” në sezonin e tretë dhe të katërt apo edhe në filmin “Sicilian Girl”.

Në karrierën e tij ai ka bashkëpunuar me aktorë të ndryshëm, edhe fitues të cmimeve “Oscar”, por gjithmnë në rolin e mafiozit.

“Mafiozi është personazh i bukur, sepse është një personazh që mund ta duash, që në skenën e parë të filmit. Sepse në fund të fundit ai bëhet pjesë e kësaj lufte, por nuk është se e kërkon luftën. Është një lloj mbrojtjeje. Nuk është personazh agresiv. Ai është i lumtur ashtu siç është. Sheh punën e tij, ka gratë e tij, ka jetën e bukur. Pastaj vijnë këta të mafies amerikane që i hapin probleme dhe ai organizon një mbrojtje, por dhe që e pëson, pasi shpërthen”, tregon Pupella.

“Si me të gjithë personazhet e tjerë, dhe me këtë përpiqem të përshtatem. Por kur bën rolin e mafiozit, e ke një lehtësim të vogël nëse ke jetuar në Siçili, dhe je… Ne Siçilianët jemi gjaknxehtë, kështu që e ke kontaktin me aromën e tokës së Siçilisë. Nuk e kam shumë të vështirë të futem në këto personazhe. Pak prej gjërave që kam dëgjuar, pak prej lajmeve, dhe duhet të bëj bosin mafioz. Kur një bos mafioz flet, ai flet si bos”.

Në fund nuk lë pa përmendur edhe përshtypjet e tij për Shqipërinë: “Pse pata përshtypjen sikur isha në shtëpi? Atëherë… Ka të bëjë pak edhe dielli. Pak edhe mënyra juaj e jetesës, mënyra se si vishen vajzat. Të gjithë e dinë italishten, dhe s’e ke të vështirë të komunikosh. Zakonet tuaja perëndimore… njësoj si ne. Kur krijon idenë e popullit shqiptar që atje, ke përshtypjen e një shoqërie që është ndryshe, por këtu nuk është ashtu. Tirana është shumë e bukur. Ka shumë gjelbërim. Kur zbritëm nga avioni shkuam në një set kinematografik, në një vend shumë të bukur. Edhe Tirana, me lulishtet për të shëtitur, me rrugët ku ndalohen makinat. Është përvojë shumë e bukur që do ta mbaj mend përgjithnjë. Edhe dje në darkë filmi është pritur me shumë ngrohtësi në premierë. Jemi të kënaqur edhe për faktin që filmi u pëlqye. Kam marrë fjalë të mira nga njerëz shumë të shquar. Janë fjalë që vlejnë trefish,  pasi vijnë nga nivele shumë të larta. Jam i kënaqur për këtë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA