98 vite më parë do të lindte një nga zërat më brilantë të Jazz-it dhe Blues-it: Billie Holiday.

Eleanor Fagan Gough, emri i saj i vërtetë, lindi në Baltimora më 7 prill të 1915-ës. Ajo kaloi një fëmijëri të vështirë, e braktisur nga i ati dhe në kushte të vështira ekonomike.

I është dashur të punojë edhe si pastruese në një shtëpi publike ku, në këmbim, e lejonin të dëgjonte disqet e Louis Armstrong.

Karrierën si këngëtare e filloi në moshën 15-vjeçare në Harlem, pas përfundimit të burgut për prostitucion. Tre vite më pas u zbulua nga një producent i rëndësishëm i kohës, duke filluar bashkëpunimet me këngëtarë të njohur.

Kur ngjitej në skenë, ajo vendoste gjithmonë te flokët një lule gardenje. Konsiderohet si ndër të parat këngëtare me ngjyrë, që luante me orkestra të njohura artistësh të bardhë. Me kohën, Billie Holiday arriti të ngjitej në nivelet e idhullit të saj, Louis Armstrong, me të cilin ka interpretuar edhe në filmin ‘musical’, “New Orleans”.

Në ’55-ën, shkroi autobiografinë “Zonja këndon Blues”, nga e cila më pas u realizua filmi, ku  interpretonte Diana Ross. Ndër këngët më të njohura të saj është “Strange Fruit”, një denoncim ndaj racizmit.

Pas problemeve me substancat narkotike, karriera e saj u dëmtua, deri sa në moshën 44-vjeçare u  nda nga jeta. Billie Holiday influencoi këngëtare si Janisse Joplin, Nina Simone.

Grupi U2 i ka dedikuar këngën “Engjëlli i Harlem”, këngëtares nga Baltimora, që me zërin e saj vazhdon të mbetet ndër gjigantët e Blues-it dhe Jazz-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA