Merkel paralajmëron Putin: Kujdes me OJQ-të

08/04/2013 16:50

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kërkoi qeverisë ruse që t’i japë një “mundësi për të ekzistuar” organizatave jo-qeveritare, të vendosura nën presion pas disa sulmeve radhazi në vend.

Merkel foli gjatë një vizite në Gjermani të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili ka mbështetur këto sulme ndaj OJQ-ve që kanë financime nga jashtë.

Më parë gjatë marsit, u kontrolluan zyrat e Moskës së “Human Rights Watch” e “Transparency International”.

Përveç dy organizatave të mirënjohuara ndërkombëtare, gjatë ditës u bastisën edhe zyrat e dy OJQ-ve gjermane, në kryeqytet dhe Shën Pjetërburg.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, në reagim të këtij zhvillimi, thirri konsullin e përgjithshëm rus në Berlin, duke i kërkuar shpjegime dhe për t’i shprehur “shqetësimin e thellë” të autoriteteve gjermane ndaj këtyre zhvillimeve.

Bastisja e ambienteve dhe kontrolli mbi të dhënat personale të punonjësve të OJQ-ve lejohet nga një ligj i miratuar në korrik 2012, në Rusi.

Ligj kontradiktor, i mbështetur nga presidenti Putin, imponon deklarimin e financimeve të organizatave joqeveritare dhe regjistrimin e punonjësve të tyre si “agjentë të huaj”, një term me një konotacion të ngjashëm me atë të spiunazhit.

Gjatë këtij mandati, presidenti Vladimir Putin ka akuzuar organizatat joqeveritare për “ndërhyrje në politikën e brendshme, financuar nga fuqitë ndërkombëtare, për shkak të interesave të tyre në Rusi”.

Ligji që detyron deklarimin e financimeve dhe regjistrimin e punonjësve i jep të drejtë Rusisë që gjithashtu të mbyllë ato organizata, që vlerësohet se “ndërhyjnë në punët e brendshme”.

Veprimet shtrënguese të autoriteteve ndaj OJQ-ve kanë ngjallur kritika të shumta ndërkombëtare. Megjithatë, kërkesës së Merkel, Putin iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke argumentuar se rusët kanë të drejtë të njohin se kush po financon OJQ-të që punojnë në vend dhe për çfarë qëllimi po e bën këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA