Të paguash avionin në bazë të kileve

03/04/2013 00:00

Një kompani ajrore në Ishujt Samoa është e para që vendos cmimin për një biletë avioni në bazë të kilogramëve dhe jo për vendin e zënë.

Samoa Air mbrojti sistemin e saj duke thënë se në një pjesë të mirë të rasteve njerëzit paguajnë më pak se sa zakonisht. Kur klientët kërkojnë të rezervojnë biletën, kompania ajrore u kërkon peshën trupore dhe më pas cmimi i biletës vendoset sipas kilogramëve.

Cmimi për kilogram ndryshon në bazë të fluturimeve. Brenda vendit kilogrami është më i lirë, ndërsa në linjat jashtë, shtrenjtohet.

Pasagjerët peshon kur paraqiten për të marrë biletën. Sipas kompanisë ky sistem funksionon shumë mirë sidomos për familjet me fëmijë që tani paguajnë më pak.

Megjithëse ky sistem nisi nëntorin e shkuar ai bëri bujë vetëm këtë javë kur kjo kompani nisi fluturimet me Samoan amerikane dhe përkoi me publikimin e një raporti nga një ekonomist norvegjez i cili tha se një pasagjer obez duhet të paguajë më shumë.

Tarifat e kompanisë janë 0.57 dollarë për kilogram për fluturimet brenda vendit dhe 1.03 dollarë për ato jashtë.

Top Channel