Në pritje të sqarimeve nga kryeministri Hashim Thaçi, opozita në Kosovë vlerëson se para çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë, rëndësi ka mbrojtja e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha se partia e tij i përmbahet qëndrimit se zgjidhja për veriun duhet të jetë në harmoni me Kushtetuten e Kosovës.

“Unë e kam të vështirë të jap një deklaratë sot sepse akoma nuk kemi deklarata të sakta se çfarë ka ndodhur dje në Bruksel. Ne i përmbahemi deklaratave tona, qëndrimeve tona që zgjidhja për veriun, por edhe zgjidhjet të cilat dalin nga bisedimet me Serbinë, të jenë zgjidhje që janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, të jenë zgjidhje të cilat respektojnë integritetin territorial të vendit, të rendit kushtetues dhe po ashtu respektojnë kornizat e rezolutës që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës në lidhje me këto bisedime”, ka thënë Mustafa.

Ai është shprehur se, nuk sheh asnjë arsye përse një pjesë e vendit duhet të ketë një status të veçantë, për faktin se nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë do të ishte shumë e vështirë që autoriteti i shtetit të Kosovës të shtrihej edhe atje.

Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje, e cila vazhdimisht ka kundërshtuar proçesin e dialogut, e vlerësoi si lajm të mirë mos arritjen e marrëveshjes, sepse sipas deputetit Visar Ymeri, një marrëveshje si ajo e paralajmëruar me Serbinë është e dëmshme për Kosovën.

“Së pari, është mirë që nuk është arritur marrëveshje në takimin e mbrëmshëm dhe as në fazat e tjera të dialogut, sepse çfarëdo marrëveshje që mund të prodhojë ky dialog joparimor, pa kushte ndaj Serbisë dhe i padrejtë ndaj Kosovës, do të jetë një marrëveshje që do të dëmtojë Kosovën dhe mundësinë që Kosova të bëhet shtet sovran në të ardhmen. Në takimin e mbrëmshëm, edhe pse formalisht dialogu u shpall i mbyllur, ai nuk ka përfunduar për shkak se është lënë hapur mundësia që përmes mekanizmave të tjera të bisedimeve, ndoshta jo të drejtpërdrejta, të synohet edhe njëherë arritja e marrëveshjes”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së Burim Ramadani, parti kjo e përfshirë në dialog nëpërmjet koordinatorit Blerim Shala, theksoi se sjellja e Serbisë në takimin e 2 prillit dëshmoi se Serbia nuk është e gatshme të ndërtojë raporte fqinjësie me Kosovën.

“Besoj se është një rast që po e humb Serbia për të ndërtuar raporte ndërshtetërore me Kosovën dhe në të njëjtën kohë ajo tregon sëish se logjika e njëjtë e qeverisjes dhe politikës zyrtare të Beogradit po vazhdon t’i shkaktojë dëme Ballkanit në përgjithësi. Është tepër e qartë se është një gabim tepër i madh i Serbisë nëse vazhdon të mendojë se është faktori kryesor në Ballkan. Aktor tepër i rëndësishëm në zhvillimet ballkanike janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe në të njëjtën kohë kemi një tendencë të pandalshme të Rusisë për t’u kthyer në aktor të zhvillimeve ballkanike, që deri më tani kanë rezultuar të pashpresa”, ka thënë Ramadani.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të kthehet në Prishtinë me qëllimin që baronesha Catherine Ashton të konsultohet me spektrin politik në mënyrë që më vonë të japë ofertën për pjesë të cilat nuk kanë rënë dakord me Beogradin zyrtar.

Zhbogar: T’u lëmë kohë kryeministrave

Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar nuk ka dashur të komentojë takimin e së martës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Zhbogar ka thënë vetëm se pas takimit në Bruksel u duhet lënë hapësirë kryeministrave të dy vendeve që të informojnë qeveritë përkatëse rreth bisedimeve.

“E di që ju intereson, por ajo që ka thënë mbrëmë përfaqësuesja e lartë e BE-së nuk ka nevojë të përsëritet më. Le t’u japim pak kohë kryeministrave që janë kthyer në vendet e tyre dhe ata le t’u shpjegojnë popujve të tyre se çfarë ka ndodhur me takimin, pastaj mund të diskutojmë“, ka thënë Zhbogar.

Kandiç: Serbia po kërkon shumë nga Kosova

Ndërkohë, aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç ka vlerësuar se Serbia po kërkon shumë nga Kosova dhe ka shprehur shqetësimin se ajo mund të tërhiqet nga dialogu pa një marrëveshje.

Sipas Kandiç, Serbia duhet ta kuptojë se bashkëpunimi me autoritetet në Prishtinë është zgjidhja më e mirë për ata 100.000 serbë që jetojnë në Kosovë.

”Të mos e kuptosh realitetin që Kosova s’është më pjesë e Serbisë, s’është gjë tjetër veçse pengesë për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Druhem se qeveria serbe në çastin e fundit do të rikthehet në pozicionet e viteve ‘90”, ka thënë Kandiç për agjencinë suedeze të lajmeve “TT”.

Top Channel