Disa nga vendet më të çuditshme në botë

01/04/2013 00:00

Nga vitet më të hershme njerëzit janë vënë gjithnjë në lëvizje për shkak të luftërave, fatkeqësive natyrore apo shpresës për të gjetur burime jetese më të përshtatshme.

E atje ku dora e njeriut rresht së qënuri prezente, natyra bën të sajën. Nga ndërthurja mes krijimit njerëzor dhe dorës së natyrës, sot janë me dhjetra vende sa të mahnitëshme, aq edhe misterioze.

Më poshtë do sjellim 15 prej tyre.

I pari vend i cuditshëm është statuja nënujore e Krishtit në San Fruttuoso në provincën e Xhenoas në Itali. Statuja është e gjatë 2.5 metra dhe është e realizuar me material që t’i rezistojë ujit të kripur. Ajo u ndërtua nga skulptori Guido Galleti me ide dhe kërkesë të Duilio Marcante në vitin 1954.

Vendi i dytë vjen nga shkretëtira e Saharasë. Bëhet fjalë për Kolmanskopin, dikur një qendër dhe nyje-ndalese e shumë tregtarëve të shkretëtirës. Me modernizimin e lëvizjes jetesa në këtë zonë është e pamundur, ndaj ato që kanë mbetur pas janë vetëm rrënojat e mbuluara nga rëra, si për të treguar se dikur ka patur njerëz vërdallë.

E treta është një anije e braktisur prej shumë vitesh në Gjirin Homebush në Australi. Ajo që ka vënë dorë mbi anijen është vetëm natyra, që bordin e saj, dikur me njerëz, e ka pyllëzuar.

I katërti vend më i cuditshëm në botë është një park lojërash që kurrë nuk përfundoi pranë Pekinit në Kinë. Projekti nisi me shumë bujë, por për arsye që nuk dihen mbeti në gjysmë. Ajo që ka mbetur sot është një godinë në ndërtim e rrethuar nga bari dhe prodhime të tjera të bujqëve aty pranë.

Çudia e pestë vjen nga Shtetet e Bashkuara. Pikërisht në Gjirin Chesapeake. Një ndërtesë që të rikthen në shekullin e 19-të, vecse prej vitesh nuk banohet më nga njerëzit, por nga pulëbardhat e shpendë të tjerë bregdetarë.

Çudia e radhës mbërrin nga India. Bëhet fjalë për shkëmbin Kalavantin Durg, dikur një pikë referimi e përplasjesh për hindutë e budistët. Shkallët dikur të mirëmbajtura, sot i janë rikthyer natyrës.

Mbetjet e një avioni në McMurdo në Antarktidë. Avioni ndodhet prej shumë vitesh atje dhe dalëngadalë po përpihet nga dëbora e akulli.

Për vendin e tetë më të cuditshëm, sot të braktisur, duhet të rikthehemi në Itali. Bëhet fjalë për fshatin Craco në jug të Italisë. Mendohet se është formuar nga kolonë grekë që kanë zbarkuar deri në shekullin e tetë pas lindjes së Krishtit. Në mesjetë ishte një qendër me peshë në jug, falë Kishës dhe manastirit funksional. Sot përvec turistëve dhe mirëmbajtësve s’gjen gjë tjetër të lëvizshme.

Lufta e Ftohtë sforcoi ish-Bashkimin Sovjetik në rivalitetin e armatimit me SHBA. Fabrika të tëra të prodhimit të armëve ushtarake u ndërtuan. Me rrëzimin e sistemit, Rusia e sotme trashëgoi një sërë fabrikash e objekte të tjera të panevojshme, një nga këto është edhe kjo e paraqitur më poshtë në foto, ku këmba e njeriut nuk shkel që prej vitesh tashmë.

Sërish në Itali. Këtë herë për të sjellë një manastir të braktisur pranë Sorrentos. Aq shumë vite ka njeriu pa vënë dorë tek kjo ndërtesë, sa pemët brenda një kohe pak vjeçare do të mbulojnë gjithcka.

Rikthehemi në ish-bllokun komunist. Këtë herë për të paraqitur selinë qendrore të ish-partisë komuniste bullgare, një bunker i vërtetë që sot përvec turizmit dhe memories së popullit bullgar, nuk shërben për gjë tjetër.

Për vendin e 12-të më të cuditshëm duhet të shkojmë në Lindjen e Largët, në Tajvan. Këto janë pjesët e dukshme të dikur qytetit të Keelung-ut. Kaq shihet, pjesa tjetër është zaptuar nga natyra.

Çudia e radhës vjen nga Kolumbia. Një hotel superluksoz, vetëm se është ngritur në një zonë të gabuar, në Salto, një zonë që deri vonë konsiderohej e nxehtë në konfliktin mes ushtrisë qeveritare dhe rebelëve të FARC-ut. Ishte për pak kohë funksional, sot strehë e zogjve…

Pas ndërtesës së shekullit të 19-të, hidhemi sërish në SHBA, këtë herë në Çikago. Bëhet fjalë për teatrin Lawndale. Totalisht jashtë funksionit. Ky lloj arti nuk është tërheqës, të paktën për banorët e zonës përreth.

E fundit mbërrin sërish nga Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë për North Brother Island, një ishull i vogël pranë Nju Jorkut. I banuar dikur nga një familje e pasur kolonizatore, por tani ka mbetur vetëm godina me xhamat e dritareve të thyera që dalëngadalë po i dorëzohet natyrës.

 

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta