SHBA përforcon bazat në Korenë e Jugut

28/03/2013 15:25

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan dy bombardues të pazbulueshëm nga radari në Korenë e Jugut, ndërsa tensioni me Veriun komunist vazhdon të përshkallëzohet.

Zyrtarisht, bombarduesit B-2 të teknologjisë stelt ndodhen në vend për të marrë pjesë në stërvitjen e përbashkët ushtarake amerikano-koreanojugore.

Megjithatë, ky përforcim i kapaciteteve sulmuese amerikane në Gadishullin Korean ka një lidhje të qartë me kërcënimet e diktatorit Kim Jong-un, për sulm bërthamor ndaj SHBA-së.

Tensioni në Gadishullin Korean ka ardhur në një spirale përshkallëzimi të rrezikshëm që prej muajit dhjetor, kur Peniani lëshoi në hapësirë një satelit, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe kreu një shpërthim bërthamor, në muajin shkurt, në kuadër të testimit të armëve të reja.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve në kundërshtim me paktet dhe zotimet e firmosura nga Korea e Veriut përpara OKB-së, vendi komunist u bë subjekt i sanksioneve të reja ekonomike, të cilave Peniani iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke anulluar armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut dhe duke rikthyer gjendjen e luftës, së bashku me kërcënimet për shkatërrimin e plotë bërthamor të fqinjëve “kukulla të imperializmit” dhe SHBA-së.

Më parë gjatë muajit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan në Korenë e Jugut bombardues “B-52”, në gjendje për të transportuar dhe goditur me armë bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA