Foshnja “e braktisur”, tërbim popullor në Zelandë

25/03/2013 16:50

Një nënë ngjalli zemërimin e mediave dhe qindra mijëra neozelandëzëve, duke lënë të vetme foshnjen e saj në makinë, me një shënim që tregonte se ajo kishte shkuar të bënte pazar.

Në mesazhin që i ishte varur në qafë fëmijës ishte vendosur edhe numri i celularit të nënës, nëse do të kishte ndonjë urgjencë.

Megjithatë, një kalimtar i shokuar fotografoi fëmijën dhe publikoi foton e tij në një rrjet shoqëror, duke ngjallur një stuhi kritikash, në drejtim të nënës së papërgjegjshme.

Midis atyre që iu bashkuan “linçimit” popullor, ishin edhe disa prej personazheve të famshme të vendit, si aktorë e politikanë.

Kalimtari, të cilit iu bashkuan edhe dy persona të tjerë, vendosi të priste për të parë nëse nëna do të vonohej vetëm disa minuta, por ajo u kthye pas pothuajse vetëm një ore.

Pavarësisht kritikave ndaj saj, nëna refuzoi që të jepte një shpjegim, ndërsa autoritetet informuan se nuk mund të hapin një hetim ndaj saj, pasi askush nuk u kujtua që të telefononte policinë, ndërsa fotografonte për të nxjerrë imazhet në rrjet.

Top Channel