Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, po hetohet zyrtarisht në lidhje me donacionet e jashtëligjshme të fushatës së tij zgjedhore në vitin 2007, nga ajo që konsiderohet si femra më e pasur e Francës.
Sarkozy akuzohet se ka pranuar mijëra euro nga trashëgimtarja e L’Oreal, Liliane Bettencourt, tashmë në moshën 90-vjeçare. Ish-lideri francez mohon se ka shfrytëzuar avantazhin financiar të zonjës Bettencourt.
Avokati i tij tha se do të apelonte ndaj “vendimit jokoherent dhe të padrejtë”, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Gjykatësi Jean-Michel Gentil, i cili udhëheq hetimin, thirri papritur zotin Sarkozy në një përballje kokë-më-kokë me shërbëtorin e zonjës Bettencourt, Pascal Bonnefoy, në qytetin e Bordosë.
Pas dëgjimit, prokurorët thanë se ish-presidenti është vendosur nën hetim formal “për shfrytëzimin e një personi vulnerabël gjatë 2007-s, në dëm të Liliane Bettencourt”.
Policia bastisi shtëpinë e Sarkozy-së dhe zyrat e tij gjatë korrikut të kaluar, pasi ai humbi imunitetin presidencial. Ai u deklarua dëshmitar material në nëntor, gjë që nënkupton se ai ishte i dyshuar, por nuk akuzohej formalisht.
Pretendohet se stafi që vepronte në emër të Bettencourt i dha 150 mijë euro cash ndihmësit të Sarkozy, gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale në vitin 2007. Ndërkohë, kontributet individuale gjatë fushatave në Francë janë të limituara në 4600 euro.
Ish-kontabilistja e Bettencourt, Claire Thibout, pretendonte se ish-drejtuesi i fondeve të fushatës së Sarkozy-së në atë kohë, Eric Woerth, i cili më vonë u bë ministër i buxhetit, mblodhi personalisht paratë cash.
Ajo zbuloi gjithashtu, në një intervistë të “vjedhur” për policinë, se Sarkozy, ish-kryebashkiak i Neuilly nga 1983 në 2002, kishte zhvilluar vizita “të rregullta” në shtëpinë e Bettencourt. Megjithatë, Sarkozy mohoi këto “thashetheme”, sipas të cilave ai mori zarfa të mbushura me para cash.
Ëoerth, i cili u detyrua të dorëhiqej si arkëtar i partisë UMP në korrik, për shkak të skandalit, është gjithashtu nën hetim formal në lidhje me pagesën prej 150 mijë euro.
Akuzat ndaj Sarkozy-së dhe Woerth u ngritën fillimisht në lidhje me një gjyq kundër pasurisë rreth 17 miliardë euro të Bettencourt. Woerth mohoi ndonjë veprim të gabuar, ashtu si dhe Bettencourt.
Top Channel