Presidentja koreano-jugore: Gjobë minifundeve

22/03/2013 00:00

Tensionet me Korenë e Veriut, kriza ekonomike dhe sulmi kibernetik që së fundmi “errësoi” mijëra kompjutera në Korenë e Jugut, nuk penguan presidenten e vendit, Park Geu-hye që të firmoste ligjin për “tejekspozimin”.

Ligji hyri në fuqi ditën e premte dhe do të penalizojë të gjitha femrat që zgjedhin një veshje “të pamoralshme”. Por cila do të quhet “veshje e pamoralshme”? Sipas ligjit të ri, minifundet e tepruara dhe veshje të tjera provokuese që vendosin në siklet personat e tjerë në publik, quhet të pamoralshme dhe femra që zgjedh një veshje të tillë gjobitet me 50 mijë uon, rreth 40 euro.

Masa e presidentes koreano-jugore nuk është pritur mirë në Seul, sidomos nga bandat e muzikës pop, të bëra të famshme në gjithë Azinë pikërisht për mënyrën tepër provokuese të veshjes së tyre, ndërsa femrat e famshme “kanë provokuar” duke postuar në rrjetet sociale foto me minifunde “të jashtëligjshme” duke deklaruar se një gjobë s’mund t’u imponojë lirinë e veshjes.

Opozita e vendit ka kritikuar gjithashtu këtë nismë, që e krahason të njëjtë me censurën e paraqitjes së vendosur nga regjimi komunist në Korenë e Veriut.

Por vec publikut dhe klasës politike, kundër normës kanë dalë edhe organet ligj-zbatuese. Forcat e policisë reagun për pamundësinë e zbatimit të këtij ligji. “Sigurisht, ne nuk do të dalim me metër në dorë dhe të masim minifundet, fundet apo fustanet e cdo femre”, deklaroi një drejtor i lartë i policisë në Seul.

Ligji u solli në kujtesë koreano-jugorëve periudhën e presidencës së Park Chung-hee, babai i presidentes aktuale. Ai udhëhoqi vendin nga viti 1963 deri në vitin 1979, vite në të cilat vendosi një ligj që ndalonte fundet dhe fustanet 20 centimetër mbi gju.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA