Tiger Woods – Lindsey Vonn, tashmë më shumë se miq

19/03/2013 01:30

Ish-numri 1 i golfit botëror, Tiger Woods, dhe kampionja Olimpike amerikane e skive, Lindsey Vonn, kanë bërë të ditur se janë tashmë një çift i dashuruar.

Çifti e njoftoi lidhjen e tyre në faqet e tyre të Facebook, duke postuar fotot e para të tyre të bëra së bashku. Ky njoftim vjen vetëm pak javë pas spekulimeve në lidhje me marrëdhënien e tyre.

Woods ka qenë i martuar më parë me modelen suedeze, Elin Nordegren, por ata u divorcuan në 2010-n, pasi u publikuan një seri marrëdhëniesh jashtë-martesore të tij.

37-vjeçari është përpjekur që prej atëherë të rindërtojë karrierën si golfist, duke treguar shenja të rikthimit në formën, e cila e lejoi atë të dominonte golfin botëror për gati një dekadë.

Korrespondentë thonë se Woods rrallë herë diskuton mbi jetën e tij private, ndaj dhe publikimi i lajmit përmes fotove mund të jetë një rrugë për të shmangur “paparazzi”-t nga ndjekja për t’i shkëputur çiftit foton e parë tërheqëse.

Woods shkroi në faqen e tij në Facebook: “Diçka e këndshme që ndodhi jashtë kursit ishte takimi me Lindsey Vonn. Ne kemi qenë miq prej pak kohësh, por gjatë muajve të fundit jemi afruar shumë me njëri-tjetrin dhe tashmë jemi të lidhur”.

Ndërsa Vonn, nga ana tjetër, shkroi në faqen e saj: “Dyshoj se ky nuk ishte një sekret i ruajtur mirë, por… po, unë jam e lidhur me Tiger Woods. Marrëdhënia jonë ka kaluar nga një miqësi në diçka më shumë gjatë muajve të fundit, gjë që më ka bërë shumë të lumtur”.

Vonn, 28 vjeç, vlerësohet si një nga skiatoret më të mira të gjeneratës së saj, duke fituar medaljen e artë në Olimpiket dimërore të 2010-s, si dhe disa kampionate botërore. Sezoni i saj aktual u ndërpre pa përfunduar, për shkak të një dëmtimi në gju.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA