Media dhe shkelja e të dhënave personale

19/03/2013 17:20

Të gjithë e dimë mirë shprehjen “fjala vret më shumë se plumbi”, apo atë tjetrën, “më mirë syri se sa nami”. Në kohët e sotme, me zhvillimet teknologjike, fjalëve të thëna, e veçanërisht të shkruara, u është rritur jetëgjatësia, për të mos thënë se ato janë bërë të pavdekshme.

Cdo gërmë e zezë e hedhur në letër të bardhë ruhet në eter dhe është plotësisht e arritshme në çdo moment përmes motorëve të ndryshëm të kërkimit në internet. Në këto kushte, të dhënat e gjithësecilit, informacionet apo edhe thashethemet e shpifjet, pra, çdo gjë e botuar apo e hedhur online, mbetet aty duke fomuar për çdo individ një “dosje publike” të dhënash personale, nëse do ta quanim kështu, që dikujt padrejtësisht mund t’i shkatërronte jetën, madje edhe në një të ardhme të largët.

Që fatalitete të tilla të ndodhin sa më rrallë kërkohet bashkëpunimi i një sërë institucioneve dhe gjithçka në mbrojtje të të dhënave personale gjendet e përkufizuar edhe në ligjin përkatës. Ndërkaq, tepër delikat dhe i rëndësishëm do të jetë gjithmonë roli i mediave. Kur ajo shkel etikën dhe madje edhe ligjin duke publikuar çdo informacion të vërtetë apo të rremë, personal apo sensitiv që futet në sferën e të dhënave personale të individëve, kur tejkalon nevojën për informim duke e zëvendësuar dhe përkthyer atë në nevojë për të fituar para’ e famë nga sensacioni që boton, kur hapësira e lirisë së shtypit shfrytëzohet me makutëri dhe dritëshkurtësi për të botuar detaje që helmatisin me tepri dhe pa bazë jetët e të tjerëve dhe kur në rastin më flagrant ajo që del në media e pakontrolluar dhe jo profesionale dëmton drejtpërdrejtë individin dhe të ardhmen e tij, atëherë kësaj situate i duhet thënë “stop”, para se të vazhdojë të bëjë viktima të tjera.
 
Nisur nga rastet e muajve të fundit, komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale u ka përcjellë të gjitha mediave një material në të cilin i udhëzon që të jenë të vëmendshme dhe të ndjeshme në rastet kur përmes shkrimeve mund të cënohet dinjiteti dhe e ardhmja e një personi. Rastet që komisioneri ka marrë për shqyrtim janë të shumta, por në këtë material i referohet specifikisht rastit të njërës prej të mbijetuarave të aksidentit të Himarës dhe historisë së saj të fundit të publikuar në media deri në hollësi me raste edhe makabre.

Fatkeqësisht ky nuk është rasti i vetëm. Me këtë realitet hasemi shpesh. Por, ky rast në vetvete fatkeq mund të shërbejë si një pikënisje për një reflektim dhe ndryshim të të dhënit informacion në media, në mënyrë që ajo të jetë gjithmonë në anën e së vërtetës, mbrojtëse e interesave të më të dobtëve dhe të pambrojturve dhe në ruajtje të shenjtërisë së dinjitetit njerëzor.
 

Top Channel