Del në sipërfaqe qyteti i përmbytur 25 vite më parë

18/03/2013 00:00

25 vjet pas përmbytjes, uji është tërhequr duke lënë pas mbetjet dhe shkatërrimin e qytezës së Epecuen-it, 550 kilometra në jug-perëndim të kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires.

Historia e kësaj qyteze është e denjë për skenarin e një filmi hollivudian. Mbijetesa në këtë zonë të Argjentinës sigurohej fillimisht nga blegtoria dhe peshkimi, ndërsa më vonë, me nisjen e turizmit qyteza nisi periudhën e artë.

Shumë argjentinas nisën ta vizitojnë qytezën, pranë së cilës ndodhej një prej lagunave më piktoreske të Amerikës Latine. Turizmi rriti gjallërinë, rriti të ardhurat, rriti banorët. Në vitet 1970 numri i banorëve kapte disa mijëra dha vazhdoi të rritej vazhdimisht deri në vitin 1985.

Pikërisht në këtë vit, Argjentina u përball me stinën më të lagësht të historisë së saj. Shira të shumtë zgjatën për javë me radhë. Niveli i lagunës së Epecuen-it nisi të rritej frikshëm. Uji nisi të pushtojë ngadalë territor nga qyteti, fillimisht me centimetra, e më pas me metra, derisa shtriu pushtetin e tij në gjithë banesat, duke shkuar në 10 metër thellësi.

Përmbytja graduale u dha mundësi banorëve të largoheshin e të merrnin me vete gjerat e tyre më të vlefshme. Sot, 25 vite pas përmbytjes totale, uji i lagunës është tërhequr dhe në sipërfaqe kanë dalë mbetjet e qytezës, dikur të lavdishme.

Nga lart shihen qartë banesat e rrënuara, pemët e thara madje edhe mbetjet të ndryshkuara krevatësh dhe automjetesh.

Aktualisht i vetmi banor i Epecuen-it është një 81-vjeçar i quajtur Pablo Novak. Gjatë përmbytjes ai u zhvendos për pak kilometra duke u strehuar në zonat më të larta, ndërsa me tërheqjen e ujit, ka rikthyer në funksionalitet të plotë banesën e tij.

Shkatërrimi nga uji ka qenë i madh, sidomos në bimësi nisur nga fakti që laguna ka nivele të larta të kripës në ujë, aq sa renditet e dyta në botë, pas niveleve të Detit të Vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA