Diabetikët me probleme në veshka

17/03/2013 17:25

Tensioni i lartë te njerëzit, jo rrallë burimin e kanë te veshkat. Ndaj kontrolli dhe mjekimi i tyre është shumë i rëndësishëm.

Profesor Myftar Barbullushi sjell në vëmendje një studim të fundit, i cili ka vërtetuar se ndërhyrja te nervat e veshkave, te shumë pacientë që vuajnë nga tensioni i lartë, ka sjellë shërim të plotë ose të pjesshëm të tyre.

“Në pacientë që mjekoheshin me mbi 5 medikamente për të stabilizuar tensionin e lartë të gjakut, nëpërmjet një metode të thjeshtë, duke denervuar veshkën apo duke i hequr disa nerva veshkës, ata arritën shifra të shkëlqyera të tensionit të gjakut. Në pjesën më të madhe tensioni u shërua, ose u përmirësua shumë, pas këtij interventi apo ndërhyrjeje, duke konfirmuar edhe njëherë atë që vazhdimisht e kemi thënë, që shkaku i të gjitha hipertensioneve, apo i tensioneve të larta, është veshka”, tha mjeku nefrolog Barbullushi.

Por, ndërsa shkenca ka përparuar edhe në prodhimin e veshkave artificiale te kafshët, zoti Barbullushi sqaron se personat e prekur nga diabeti, që kanë edhe probleme me veshkat, e kanë jetëgjatësinë shumë më të ulët se njerëzit normal.

“Dihet që diabetikët kanë një pritshmëri të vdekshmërisë më të madhe se ata që janë pa diabet. Por interesante ishte se, kur diabetiku nuk ka prekje të veshkave, pritshmëria e vdekjes së tij është 11,2%, në raport me atë që nuk ka diabet, e cila është 9,9%. Pra deri këtu nuk ka ndonjë diferencë të madhe në pritshmërinë e vdekshmërisë. Kur diabetiku kishte të prekur veshkat, pritshmëria e vdekshmërisë së tij shkonte në 43% brenda 10 vitesh”, shtoi Barbullushi.

Trajtimi i të sëmurëve dhe kurimi i tyre, përmes medikamenteve por edhe ndërhyrjeve bashkëkohore do të sillte ndryshim të ndjeshëm në jetën e pacientëve.

Top Channel