Kalaja e Libohovës, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena ndërmjet viteve 1796 -1798, përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme në vend, por që po degradon nga dita në ditë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Auron Tare, tha se rrënimi i kështjellës së Shanishasë ka ardhur hap pas hapi, fillimisht duke e shndërruar atë në një stallë bagëtish dhe më pas me shembjet e strukturës së godinave, mureve, shkallëve.
“Ju i shikoni muret, kanë rënë, edhe shkallët atje te cepi, kanë rënë të gjitha. Para disa muajsh isha këtu dhe pashë që shkallët ishin në vend, ndërsa tani kanë rënë. Nuk është bërë absolutisht asgjë. Siç e shikoni, edhe në hyrje të kalasë janë ndërtuar shtëpia, këtu mbrapa mureve janë të gjitha plehërat e Bashkisë që i hedhin atje. Pra nuk ka absolutisht asnjë lloj dore të vendosur në këtë kala”, u shpreh Tare.
Ai gjithashtu ka përmendur degradimin dhe daljen jashtë hartës së destinacioneve turistike në jug të shumë monumenteve me interes të lartë turistik. Potenciali i Libohovës mund ta bënte atë, sipas Tares, një prej destinacioneve më të rëndësihme në guidat turistike, ndërsa sipas socialistëve kjo situatë duhet ndryshuar për t’i kthyer dinjitetin monumenteve dhe për të rritur mirëqenien e banorëve.
Motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanisha, u martua me një nga anëtarët më të rëndësishëm të familjes Libohova dhe kalaja ishte paja e Ali Pashës për të motrën. Vetë sundimtarja e Libohovës, Shanishaja, prehet në varrezat në jug të kalasë.
Top Channel