Morricone: S’bashkëpunoj më me Tarantino

16/03/2013 00:00

Quentin Tarantino është një fans i madh i kompozitorit legjendar
italian, Ennio Morricone, por duket se anasjelltas nuk është e njëjta
gjë.

Morricone njihet në mbarë botën për kolonat zanore të filmave uestern “The good, the bad and the ugly”, “A fistful of dollars” dhe “The big gundown”, por edhe për shumë vepra të tjera.

Së fundmi, Tarantino ka përdorur fragmente të veprave të kompozitorit për filmat “Django Unchained”, “Inglorious Basterds” dhe në dy volumet e “Kill Bill”, por tashmë nuk duhet të presë që kjo të ndodhë sërish.

Në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit LUISS të Romës, Morricone deklaroi se nuk i intereson mënyra se si regjisori përdor muzikën në filmat e tij, por e kritikoi atë për faktin se e vendos fragmentin pa koherencë, gjë që sipas tij nuk e bën askush.

“Nuk do të më pëlqente të punoja me të sërish, për asgjë. Pas “Inglorious Basterds” ai më tha se donte të punonte sërish me mua, por i thash se nuk mundem pasi ai nuk më jep shumë kohë. Kështu që ai përdori një këngë që unë kisha shkruar më parë”, ka thënë Morricone.

Kompozitori nuk i kurseu kritikat për Tarantinon edhe si regjisor kur u pyet nëse e kishte parë filmin “Django Unchained”. “Të them të vërtetën, nuk më pëlqeu. Kishte shumë gjak”, iu përgjigj artisti i madh studentëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA