Shuhet ish-bateristi i Iron Maiden

14/03/2013 13:10

Ish-bateristi i grupit Iron Maiden, Clive Burr ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare, pasi vuante prej një kohe të gjatë nga skleroza e shumfishtë.

Steve Harris, themeluesi i grupit të muzikës heavy metal, në faqen e internetit të bandës është shprehur se, “ky ishte një lajm tej mase i hidhur”.

“Ai ishte një njeri i mrekullueshëm dhe një baterist fantastik, që i dha një kontribut të vlefshëm grupit tonë në fillesat e tij”, ka thënë Harris.

Burr u bashkua me Iron Maiden në vitin 1979 dhe performoi në tre albumet e para të tyre, “Iron Maiden” i vitit 1980, “Killers” në 1981 dhe “The Number of the Beast” një vit më vonë.

Vokalisti Bruce Dickinson ka bërë gjithashtu homazhet e tij duke u shprehur: “Edhe në ditët më të errëta të tij, Clive nuk e humbi kurrë sensin e humorit”.

Mesazhe hidhërimi kanë postuar online edhe pjesëtarë të grupeve të tjera të zhanrit metal. Basisti i Megadeth, David Ellefson ka shkruar në Facebook: “Ai ka qenë një nga bateristët e mi të preferuar të të gjitha kohërave”.

Burr lindi në lindje të Londrës në vitin 1957 dhe ishte anëtar i grupit metalist britanik Samson përpara se të bashkohej me Iron Maiden, grupi që do t’i jepte famë botërore.

Top Channel