Rritet çmimi i ushqimeve

10/03/2013 15:00

Që nga fundi i vitit 2011, rritja e çmimeve në treg ka qenë e dobët. Rënia e fuqisë blerëse, për shkak të krizës, e ka mbajtur inflacionin, gjatë kësaj kohe, gjithmonë poshtë kufirit 3 për qind, të vendosur nga Banka e Shqipërisë.

Por, ndonëse treguesi mesatar i inflacionit duket i kontrolluar, në disa zëra të veçantë, tregu po jep sinjale për rritje çmimesh. Institituti i Statistikave njoftoi se, në shkurt, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkolike u rritën me 4,9 për qind krahasuar me një vit më parë.

Kjo është rritja më e lartë, që nga gushti i vitit 2011. Madje, shifrat tregojnë se, nëse nga ky grup hiqen pijet joalkolike, rritja e çmimeve tek ushqimet bazë ka qenë 5,3 për qind.

Sipas Instat, shtrenjtimi i shportës së ushqimeve i dedikohet rritjes së fortë të çmimeve te frutat, por edhe zarzavatet bazë, të cilat në shkurt kushtonin 20,8 për qind më shumë se një vit më parë.

Në termat e shpenzimeve, ushqimet janë zëri më i rëndësishëm i buxhetit të familjeve shqiptare. Instat thotë se çdo familje në Shqipëri shpenzon për të blerë ushqime mesatarisht 39,3 për qind të buxhetit të saj.

Por, sërish kjo shifër është në nivel mesatar. Për familjet e varfëra, pesha e buxhetit, që shkon për ushqimet bazë, është, sipas Bankës Botërore, deri në dy herë më e lartë.

Kjo do të thotë se, te një familje me të ardhura të ulta, paketa bazë e ushqimeve mund të marrë deri në 80 për qind të të ardhurave dhe shifra rritet, sa më e varfër të jetë familja.

Pikërisht për shkak se struktura e shpenzimeve familjare ndryshon, në varësi të të ardhurave, në shumë vende të botës qeveritë publikojnë më shumë se një tregues për inflacionin.

Nëse Instat do bënte të njëtën gjë, sot inflacioni për familjet e varfëra nuk do të ishte 2,5 për qind, sa shifra zyrtare, por mbi kufirin maksimal 4 për qind.

Dhe, në kushtet e një krize, që ka ulur të ardhurat, shtrenjtimi paralel i jetesës është kombinimi më i keq i mundshëm, i cili godet më fort pikërisht ata, që po paguajnë kostot më të mëdha të kësaj krize, të varfërit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA