Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që Serbia të marrë masa urgjente për gjendjen në këtë zonë shqiptare në jug të Serbisë.
Kuvendi i deputetëve shqiptarë, një organ jozyrtar i liderëve të zonës, ka kërkuar reciprocitet me serbët në Kosovë, përkatësisht dhe krijimin e një shoqate të komunave shqiptare në jug.
”Për momentin, ne deri më sot kemi aprovuar vetëm dokumentin e masave urgjente, që ka të bëjë me përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, por mbetet që në seancën tjetër të përgatitet dhe aprovohet një dokument me karakter strategjik, për të ardhmen e Luginës së Preshevës, statusin e saj politik. Me atë rast, do të kërkojmë, duke u bazuar në platformën e vitit 2006 dhe deklaratat politike të aprovuara më vonë, që parimi i reciprocitetit me të drejtat e serbëve në Kosovë të jetë parimi bazë i organizimit të Luginës së Preshevës”, deklaroi Shaip Kamberi, anëtar i Partisë për Veprim Demokratik.
Nga ana e tyre, mediat serbe i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë këtij takimi të shqiptarëve, duke vlerësuar edhe krizën që është duke e kaluar dialogu Kosovë-Serbi.
Shqiptarët kanë nisur disa bisedime me qeverinë e Beogradit, por nga ana tjetër Kosova ka thënë se shqiptarët në këtë zonë nuk kanë paraqitur kërkesat e tyre.
Top Channel