BB6 FanClub, Altina e Olseni flasin nga jashtë shtëpisë

10/03/2013 14:10

“Asgjë nuk është ashtu siç duket”, kjo është motoja e këtij edicioni të 6-të të Big Brother Albania, gjë që duket se i ka dhënë “frutet” e saj që në fillim, edhe pse me një ngjarje të pandodhur kurrë më parë në edicionet e kaluara.

Ka qenë një dorëzim i paparashikuar dhe i parakohshëm i një prej banorëve të shtëpisë më të famshme e më të vëzhguar të shqiptarëve, edhe pse të tjerë ëndërrojnë të jenë qoftë edhe për 1 ditë të vetme pjesë e saj.

Altina, 25 vjeçarja nga Gjakova, vendosi të largohej nga shtëpia në mënyrë befasuese, duke argumentuar se nuk u përshtat me izolimin sipas rregullave të lojës.

“Para se të hyja mendoja se do të shkonte gjithçka mirë, por nuk e mendova mërzitjen. Ja që ndodhi dhe dola kaq shpejt”, u shpreh Altina në FanClub. “Nuk u përshtata me ambjentin, nuk më pëlqyen debatet e kota, por edhe ndjenja e izolimit nuk më bëri të ndihesha mirë, ndaj dita-ditës m’u shtua mërzia dhe vendosa të dal. Kjo, për shkak se jam mësuar me gjallëri në jetën e përditshme”.

E pyetur nga Olti Curri në lidhje me vendimin e saj të papritur, Altina u përgjigj: “E kam ndjekur Big Brother edhe në edicionet e tjera, thjesht mendova ta provoja, pasi besoja se ndryshe ishte nga ta shije nga jashtë dhe tjetër gjë mund të ishte nëse gjendej brenda atij ambjenti. Megjithatë, shkoi kështu si shkoi. Unë hyra vetvetja dhe dola vetvetja, pasi aktrimi, ashtu siç e njoh unë të paktën, është krejtësisht tjetër gjë nga ai që bëhej në shtëpinë e Big Brother. Besoj se jashtë, në jetën reale mund t’ia dal me aktrimin”.

E pyetur nga Albana Osmani, se çfarë ndryshonte brenda, nga ajo që shihet jashtë shtëpisë, Altina u shpreh: “Nuk e di, e thashë edhe më parë se vetë izolimi nuk më bëri të ndihesha mirë. Në vazhdim pres ndonjë projekt në teatër, pasi tani do të nisem për në Gjakovë, për të vazhduar jetën time”.

Ndërsa personi i parë i eliminuar nga verdikti i publikut është Olseni, 27-vjeçari që jeton prej vitesh në Greqi.

“Thjesht u gëzova dhe ndihem i lumtur që kalova këtë eksperiencë të bukur. Nuk u thellova fare në mendime pas largimit, nuk më vjen aspak keq që dola nga shtëpia, por mund të them se ia kalova shumë mirë, për aq kohë sa qëndrova në shtëpi. Nëse do t’ia sugjeroja dikujt pjesëmarrjen? Sigurisht, ishte një nga eksperiencat e mia më të mira. Duhet pranuar verdikti i publikut, pasi këto janë rregullat, kjo është loja”, u shpreh Olseni.

I pyetur nga Olti, se pse vajzat e shtëpisë u përlotën në momentin e largimit të tij nga shtëpia e Big Brother, ai u shpreh: “Nuk e di, do të pres deri sa të dalin dhe do t’i pyes”.

“Nëse sot do të ishe person i panjohur dhe do të futej sërish
në shtëpinë e Big Brother, çfarë do të bëje ndryshe?”, ishte pyetja e publikut
kundrejt Olsenit. Përgjigja? “Asgjë, atë që kam bërë deri dje, atë do të bëja.
E nëse do të dilja sërish i pari? Punë e madhe, kjo është lojë dhe ka rregullat
e saj. Unë ky jam”.

Top Channel