Gafa e Fiat për 8 Marsin: Sensorë parkingu falas

08/03/2013 00:00

Kompanitë dhe bizneset shfrytëzojnë ditët festive dhe të shënuara në kalendar për të promovuar ofertat dhe produktet e tyre dhe një gjë e tillë ndodhi edhe më 8 mars.

Por një zgjedhje e tillë duhet studiuar e peshuar mirë përpara se të hidhet për konsum marketingu. Kjo nuk është bërë sic duhet nga kompania italiane e prodhimit të makinave Fiat. Kompania, pa u menduar dy herë njoftoi për ofertën e saj me rastin e 8 marsit; sensorë parkingu falas.

Oferta thumbuese ofendoi femrat dhe në faqen zyrtare në Facebook të Fiat vërshuan një lumë komentesh kritikuese.

“Mirë bërë se është e ditur që ne gratë nuk dime të parkojmë”, ishte njëri prej tyre, për të vazhduar me të tjerë si: “T’ju vijë turp! Ndoshta ne nuk dimë të parkojmë, por ju meshkujt harroni që jeni shkaktarë të numrit më të madh të aksidenteve me pasojë vdekjen”, vazhdonte një tjetër.

Kishte edhe reagime më ekstreme të tipit: “Goxha publicitet! Urime! Tani nuk do të blej kurrë një makinë Fiat”.

Kompania ka reaguar po në Facebook: “Mendojmë që sensorët e parkimit janë të dobishëm njësoj si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Është një aksesor luksi që të thjeshton manovrat dhe që vetëm për sot do të ofrohet falas”.

Top Channel