Portieri brazilian pranon vrasjen, copëtimin e të dashurës

07/03/2013 17:05

Një portier brazilian, favorit për t’u grumbulluar me kombëtaren si rezervë në Botërorin 2014, pranoi mes lotësh se vrau, shpërfytyroi dhe copëtoi të dashurën e tij, me qëllim që të shmangte pagesat pas ndarjes, për fëmijën e lindur nga raporti i tyre disa-vjeçar.

28-vjeçari Bruno Fernandes de Souza, ende nën kontratë me Flamengon dhe një prej portierëve më të talentuar në Brazil, tashmë rrezikon që të kalojë të gjithë jetën e mbetur pas hekurave të burgut.

Pas dy sezonesh të shkëlqyera në radhët e klubit të madh brazilian, Bruno konsiderohej si pretendent kryesor për një grumbullim midis tre portierëve që do të përfaqësojnë vendasit në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Megjithatë, ai u arrestua disa ditë më parë si i dyshuar kryesor, për zhdukjen enigmatike të të dashurës dhe nënës së fëmijës së tyre, 25-vjeçares Eliza Samudio.


De Souza, pas arrestimit. Djathtas, ish-e dashura e tij, nene e nje femije me te

Në një proces që ka tërhequr shumë vëmendje publike në Brazil, de Souza fillimisht mohoi të kishte njohuri për vendndodhjen apo fatin e Elizës.

Megjithatë, pasi një mik i tij dëshmoi se kishte dëgjuar prej Brunos të shprehte qëllimin e pajtimit të një vrasësi me pagesë për të eliminuar të dashurën, ylli i Flamengos rrefeu gjithçka ditën e enjte.

Detaje të rrëfimit të de Souzës, për të cilin është përfolur në të shkuarën interesimi i Milanit, nuk janë bërë ende të njohura me imtësi, por për nga dinamika, mënyra se si është kryer krimi duket me të vërtetë shokuese.

Sipas mediave braziliane, ai rrëmbeu të dashurën me një kushëri, në profesion polic, gjithashtu i arrestuar. Pasi e dërguan në një destinacion të veçuar, portieri pa se si viktima iu nënshtrua për disa orë torturave çnjerëzore, përpara se të ekzekutohej.

Futbollisti, më pas duket se mori pjesë në procesin e ndarjes së trupit në copa të vogla, të cilave iu hodhën si ushqim qenve të de Souzës.

Trupi i viktimës nuk është gjetur kurrë. Tashmë, portieri dhe bashkëpunëtori i tij, përballet me rënien pothuajse të sigurt, nga fama dhe jeta e rehatshme, në një qeli burgu 2×2 deri në fund të jetës së tyre.

Top Channel