Nëna në gjyq për bluzën “11 Shtatorit”

07/03/2013 00:00

Një nënë 35-vjeçare do të përballet me drejtësinë në Avignon në Francën Jugore pasi vendosi të dërgojë në shkollë fëmijën e saj me një bluzë mbi të cilën ishte shkruajtur: “Jam një bombë! Lindur më 11 Shtator”.

35-vjeçarja e identifikuar si Bouchra Bagour u denoncua nga mësuesit e shkollës. Ajo do të përballet me akuzën e “ngritjes së lavdisë për krimin”. Në seancën e parë gjyqësore kundër saj, ajo mohoi akuzën se mbështet apo mbron terrorizmin.

Vëllai i 35-vjeçares, që i dhuroi bluzën nipit të tij 3-vjeçar me emrin Jihad me mbishkrimin “provokues” është vënë në mbrojtje të së motrës dhe mohon akuzat. E akuzuara deklaroi se e kishte veshur djalin pa e menduar gjatë për të dhe se nuk priste një reagim të tillë.

Bluza e 3-vjeçari shkruante në pjesën e përparme të saj “Unë jam një bombë”, ndërsa nga pas vazhdohej “Jihad, lindur më 11 Shtator”.

Duke folur për dhuratën “e rrezikshme” që i kishte bërë nipit, vëllai i nënës 35-vjeçare tha se ishte dita e lindjes së vogëlushit ajo që donte të nënvizonte dhe jo viti. Prokurorët francezë thanë se të akuzuarit duhet të kërkojnë ndjesë për gjestin e tyre. “Kush mund të thotë se kjo nuk është një mbështetje direkte dhe skandaloze për terrorizmin?”, thanë ata.

Prokurorët kërkuan gjobë me 1 mijë euro për 35-vjeçaren dhe 3 mijë euro për vëllain e saj, autori i dhuratës. Gjyqi pritet të vazhdojë muajin tjetër me seancën e radhës.

Top Channel