“LaFerrari”, supermakina e parë hibride e kompanisë italiane

05/03/2013 00:00

Super e shpejtë, super e fuqishme. Ky është Ferrari i ri i pagëzuar thjesht “LaFerrari”, që u ekspozua në sallonin e makinave në Gjenevë të Zvicrës.

Bëhet fjalë për makinën e parë hibride të kompanisë italiane prodhuese të makinave super të shpejta. Një monstër e vërtetë ku ëshë ndërthurur më së miri teknologjia dhe stili.

Ka një motor V12 prej 6.262 cc me ftohje me 963 kuaj fuqi dhe që bën 9250 xhiro në minutë, një shifër rekord kjo për motorët e kësaj kategorie cilindrike. Vec kësaj, “LaFerrari është e pajisur me dy motorë elektrikë që shtojnë fuqinë dhe shpejtësinë në dy drejtime të ndryshme; njëri drejt rrotave ndërsa tjetri rrit fuqinë e sistemit në tërësi.

Bateritë peshojnë vetëm 60 kilogram dhe rikarikohen gjatë frenimit si dhe në rastin kur motori prodhon më shumë energji nga c’nevojitet, si për shembull në rastet e një rruge me kthesa.

Tjetër risi është përdorimi i sistemi Hy-Kers, frymëzuar nga i njëjti sistem që përdoret nga makinat që garojnë në Formual 1.

E kur thuhet Ferrari normalisht gjithkush kalon nëpërmendje shpejtësinë, adrenalinën. “LaFerrari” është në gjendje të kapë 100 kilometra në orë për më pak se 3 sekonda dhe 200 kilometra në orë brenda 7 sekondave. Gjatë testeve të kompanisë, rezultoi 5 sekonda më e shpejtë se “Enzo”, modeli pararendës i saj i hedhur në treg për herë të parë në vitin 2002 nga kompania torineze.

Pjesa e brendshme. Pamja brenda përcaktohet nga vetë klientët, përvec sistemit të drejtimit që është standard për të gjithë; timon dhe sistem frenimi më praktik.

Nga selia e “Kokëkuqes” thonë se që tani kanë marrë rreth 700 porosi. Në fazën e parë do t’u realizohet dëshira vetëm 499 klientëve, ndërsa më vonë do të prodhohen edhe të tjera, sipas kërkesave. Çmimi; 1.2 milion euro!

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA