Në një kohë që në parlament është miratuar ligji për mediat audivizive,
pas 7 vitesh disktutime, deputeti Alfred Dalipi ka bërë publike tenderin
prej 25 milionë eurosh të ministrit   të Inovacionit, Genc Pollo, për
ngritjen e rrjeteve dixhitale, i cili po kryhet pak muaj para zhvillimit
të zgjedhjeve dhe, në të njëjtën kohë, kur ligji kaloi në parlament.

“25 milionë euro tender për dixhitalizimin e tregut dhe për dy rrjete publike, pra për dizenjim, pajisje, instalim, trajnim dhe komisionim, bën të ditur Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë me datën përkatëse. Qeveria merr përsipër, kur vjen këtu sot me një filozofi për të privatizuar gjithçka, për të ngritur rrjete për transmetuesit privatë, sepse do të jetë një rrjet publik për transmetuesin publik dhe një rrjet me 11 sajde lokale për transmetuesit privatë. Tenderin do ta bëjë Pollo dy muaj para zgjedhjeve dhe inventarizimin e këtyre rrjeteve do ta marrë transmetuesi publik”, tha Dalipi.

Ky tender i Ministrisë së Inovacionit, tha Dalipi, po kryhet pa u miratuar as nga KKRT-ja dhe as nga Këshilli i Radiotelevizionit shqiptar.

“Projekti për ngritjen e dy rrjeteve publike me paratë e shqiptarëve pa projekt nga transmetuesi publik dhe pa projekt nga KKRT-ja, si autoriteti rregullator, i cili duhet, të paktën, të miratojë strategjinë për ngritjen e këtyre rrjeteve dixhitale. Por, a mund të bëhet tender për rrjetet publike, një RTSH, dhe tjetri për operatorët privatë, pa bërë studimin se sa do të shiten këto shërbime? Se, nëse do ta ndërtojë zoti Pollo dhe do të hedhë 25 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë, me se do ta shikojnë këta shqiptarë këtë sinjal?”, shtoi Dalipi.

Por, ndërsa Dalipi tha se tenderi për këto rrjete dixhitale po kryhet nga ministri i Inovacionit, Genc Pollo, inventari do të bëhet nga Radiotelevizioni shqiptar. Por, ministri Pollo tha se ky investim po bëhet për konsumatorin shqiptar dhe investimi për Radiotelevizionin shqiptar do të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Është e pavërtetë ajo që tha relatori socialist, se dy rrjetet numerike do të ndërtohen me paratë e buxhetit. Ato do liçencohen nga AMA dhe investimi do të jetë privat. Por, RTSH është përgjegjësi e shtetit, është përgjegjësi e publikut, pra është normale që të financohet nga publiku. Do thoja se, akuzat që dëgjova vijnë nga një njeri, që ndoshta si shumë të tjerë, nga ai krah i është bërë syri bakër dhe çdo transaksion e shikon me mënyrën e vet të të kuptuarit”, reagoi Pollo.

“Kryeministri u betua atëherë, se ligjin për transmetimet numerike e bënte për 800 mijë familje shqiptare, që brenda vitit do të merrnin Dixhitalin. Sot ministri tha prapë se, do t’ia bëjmë RTSH-së patjetër, por në fakt pas 6 vjetësh, por ndërkohë kanë kaluar 6 vjet dhe RTSH-ja nuk ka marrë asnjë lek për teknologjinë. Ajo që familjet shqiptare, që përmendi kryeministri, fituan, ishte dyfishimi i taksës së RTSH-së, që sot nuk dihet se ku ka shkuar. E vërteta është se Berisha nuk bëri një ligj për RTSH-në në atë kohë, por një ligj kundër Top Channel, prandaj rezultoi në dështim”, deklaroi Leskaj.

Deputetja Valentina Leskaj tha se ky ligj është bërë me ekspertizën e ndërkombëtarëve dhe një pjesë e madhe e ligjit është miratuar me konsensus. Pika e konfliktit ka qenë zgjedhja e anëtarit të 7-të të AMA-s dhe të 13-të të KRTSH-së, me shumicë të cilësuar, në mënyrë që mediave t’u jepej pavarësi.

“Dëgjoni Brukselin, dëgjoni thirrjen e komisionerit Fyle, që reformat të bëhen me konsensus e të mos përdoren rrugë përjashtuese, që reformat të jenë të qëndrueshme. Dëgjoni Dunja Mijatovic, ju ka dërguar një letër këto dy ditët e fundit. Qëndrimi i saj është në një linjë, me atë që kërkon sot opozita. Po kërkon të njëjtën gjë, tërhiqeni ligjin, që të garantoni ente rregullatore të pavarura”, shtoi Leskaj.

Por deputeti Mark Marku tha se skema e propozuar nga mazhoranca është zbatuar në shumë vende të Europës.

“Në të gjitha rastet e vendeve europiane, autoritetet rregullatore zgjidhen nga parlamenti me shumicë votash. Vetëm Bullgaria ka variantin e zgjedhjes me short, variant eksperimental ky dhe i paprovuar nga ndonjë vend tjetër europian, si variant i suksesshëm. Pamundësia e ndikimit të politikës në këto institucione bëhet edhe më evidente nga garancitë ligjore të funksionimit të tyre, ku për vendimet më të rëndësishme, si liçencimi apo zgjidhja e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, vendimmarrja bëhet me shumicë të cilësuar”, tha Marku.

Shalsi, akuza ministrave: Miliona euro për televizionet pranë qeverisë

Një pikë e nxehtë, e vënë në dukje nga opozita, gjatë debatit për miratimin e ligjit të ri për median audiovizive, ishte edhe çështja e reklamave shtetërore. Deputeti Eduard Shalsi akuzoi ministrat e qeverisë Berisha, se kanë dhënë miliona euro reklamëm, deri më tani, për televizionet pranë qeverisë.

“Nga ai i mjedisit, që s’ka as kurajo të kthejë përgjigje, një parlamentari si unë se sa para ka shpenzuar për reklama apo njoftime, 200 mijë dollarë. Nga ministri tjetër, i bujqësisë, që shpenzon 200 mijë dollarë të tjera për të promovuar me demek sukseset e jashtëzakonshme të bujqësisë shqiptare. 60% e fondeve të Ministrisë së Arsimit të ministrit tjetër shkojnë për promon e Klanit. Ministria e Transporteve ka gjetur kurajon t’i japë 500 mijë dollarë gazetës së Partisë Demokratike. E për të vazhduar pastaj me Ministrinë e Mbrojtjes, që nuk i mjaftojnë qindra-mijëra euro apo dollarë, por shkon në miliona dollarë përsëri për Klanin mediatik, që t’i shesë Shqipërisë një realitet, që nuk ekziston. Ndërkohë që rekordin e mban, me mbi 100 mijë dollarë, Drejtoria e Rrugëve pranë Ministrisë së Transportit. E pra, kjo është situata e shpërndarjes së parave publike te mediat”, u shpreh Shalsi.

Top Channel