Bujar Osmani, ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht përfaqësues i BDI, i ka dalë në mbrojtje ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Ferit Hoxha.

Ky lidhet me mesazhin që PD-ja publikoi, duke pretenduar se i përket ministrit Hoxha i cili iu është drejtuar shqiptarëve që ndodhen në RMV.

Në mesazh ky i fundit shkruante “Çfarë thonë ata idiotët shqiptarë atje”

Osmani ka akuzuar gjithashtu rivalët e tij në Qeveri, teksa një ditë më parë ishte ministri shqiptar i Ekonomisë në RMV që reagoi kundër Hoxhës.

“Nuk e di nëse është thënë, dhe pse përfaqësuesit në qeveri janë quajtur ashtu. Etiketat janë më pak të rëndësishme se pyetja që dëgjoj shpesh nga aktorë ndërkombëtarë për këta në qeveri: Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur shqiptarët janë 100 % pro-evropianë, ndërsa ata mbështesin politika që e bllokojnë rrugën drejt BE-së?

Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur krijojnë ambient që gjuha shqipe të trajtohet si çështje dytësore e jo si e drejtë e barabartë? Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur mekanizma realë mbrojtës zëvendësohen me ligje të dobëta, pa fuqi ekzekutive?

Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur heshtin përballë padrejtësive që prekin pikërisht shqiptarët? Pra, çështja nuk është fjala e djeshme.  Çështja është kontradikta e përditshme mes asaj që pretendohet dhe asaj që bëhet”, shkruan Osmani.

 

Top Channel