Çështja bërthamore, OKB: Irani nuk bashkëpunon

04/03/2013 15:40

“Irani nuk po bashkëpunon me komunitetin ndërkombëtar në bisedimet rreth programit të tij bërthamor, duke e bërë të vështirë për Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së (ANEA) që të ofrojë garanci për qëllimet paqësore të vendit”.

Kjo ishte deklarata e drejtorit të përgjithshëm të ANEA-s, Yukija Amano, përcjellë nga “CNN” ditën e hënë.

Duke folur për gjendjen aktuale të bisedimeve, pas një takimi midis përfaqësuesit iranian me të dërguarit e pesë vendeve me të drejtë veto në OKB, plus Gjermaninë, Amano theksoi se “Irani duhet të lejojë pa vonesë inspektimin e qendrës ushtarake të Parçinit”.

Në këtë qendër, Republika Islamike besohet se ka testuar në të shkuarën raketat e saj.

Duke qenë se Irani nuk ka ofruar një informacion të tillë, “ANEA nuk është në gjendje që të përfundojë se i gjithë materiali bërthamor që ndodhet aktualisht në vend, ka si synim përdorimin për qëllime paqësore”.

Deklarata e Amanos ishte befasuese, duke pasur parasysh raportimin e zhvillimeve pozitive në takimin e mbajtur në 26 shkurt në Kazakistan, bisedime që kishin ngrirë prej muajsh, duke bërë që vendi me 75 milionë banorë të gjunjëzohej nga sanksione të ashpra financiare, mes të cilave bllokadë për eksportet e naftës dhe bllokim të të gjithë aseteve dhe transaksioneve financiare të bizneseve e shtetit iranian.

Këto masa sollën një përkeqësim drastik të nivelit të jetesës në vend, ndikuar nga një inflacion galopant dhe reduktimi i subvencioneve shtetërore për transportin, strehimin dhe edukimin, duke bërë që presioni brenda Iranit mbi presidentin Ahmadinejad dhe drejtuesit e tjerë të rritet.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA