Kosovë, flamuri maqedonas fshihet nga “NEWBORN”-i

03/03/2013 11:20

Zhvillimet e fundit në Maqedoni, ku disa të rinj shqiptarë u rrahën barbarisht në rrugët e Shkupit nga ekstremistë maqedonas, kanë shtyrë disa qytetarë ta fshijnë flamurin e Maqedonisë nga obelisku i pavarësisë “NEWBORN”.

Monumenti i vendosur në qendër të Prishtinës ndryshoi pamje me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke u lyer me flamurët e vendeve që kanë njohur pavarësinë, në vend të firmave të qytetarëve që mbante me rastin e shpalljes së saj në 17 shkurt 2008.

Siç raportoi “Telegrafi”, në disa video qe kanë qarkulluar në internet janë parë një grup tifozësh që fshijnë flamurin e Maqedonisë, në shenjë proteste për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve.

Kjo është konfirmuar edhe nga ideatori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, i cili përmes “Facebook”-ut ka konfirmuar se flamuri i Maqedonisë është hequr nga “NEWBORN”-i.

Z.Ismaili përfitoi nga ky postim, për t’i kërkuar Prishtinës zyrtare që të bëjë më shumë për të mbështetur shqiptarët në Republikën e Maqedonisë.

Top Channel