Apple-Samsung, gjykata rishikon vendimin

02/03/2013 00:00

Një gjyqtar në Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar që dëmshpërblimi prej 1 miliard dollarësh i parashikuar për “Apple” vitin e kaluar në proçesin kundër “Samsung” të shkurtohet me 40 për qind dhe që të mbahet një gjyq i ri për të rishikuar nivelet e dëmeve.

Vitin e kaluar, dëshmpërblimi i caktuar ishte më i madhi i një seri betejash ligjore mes dy kompanive për patentat e telefonave dhe tabletave të tipit smart.

Vendimi, i marrë në Kaliforni, do të thotë se dy kompanitë do të përballen sërish në gjykatë. Gjyqtari tha se juria që kishte përcaktuar vlerën origjinale prej 1 miliard dollarësh kishte llogaritur gabim një pjesë të dëmeve.

Shkurtimi prej 450 milionë dollarësh i dëmshpërblimit do të sigurohet dhe mund të rritet apo ulet në bazë të rishikimit. Në gjyq, “Apple” bindi jurinë se “Samsung” kishte shkelur patentat e saj për produktet iPhone dhe iPad.

“Molla” akuzonte kompaninë aziatike se kishte prodhuar 14 objekte elektronike përmes modeleve për të cilat liçencë kishte vetëm “Apple”.

Juria vendosi se për disa nga produktet e saj, “Samsung” kishte përdorur idetë e “Apple”, si për shembull për opsionin “bounce-back”.

Ky opsion përdoret kur përdoruesi liston deri në fund fotot e bëra me celularin e tij. Çështja ka përfshirë gjithashtu funksionin e zmadhimit të fotove, që aktivizohet me anë të prekjes.

Dy kompanitë kanë zhvilluar beteja ligjore në tetë vende të tjera, përfshirë këtu “shtëpinë” e “Samsung”, Korenë e Jugut, Gjermaninë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë.

Top Channel