Këmba e sheshtë ose dystabani, siç njihet ndryshe në gjuhën popullore, është një problem që shkaktohet nga shpërndarja jo e njëjtë e forcave të ngarkesës mbi kockat dhe tendinat duke shkaktuar jo vetëm dhimbje, por edhe deformim të kockës.

Megjithatë, jo të gjithë njerëzit e kanë harkun e këmbës të njëjtë. Problemi lind atëherë kur këmba është aq e sheshtë sa na shkakton dhimbje dhe vështirësi në ecje.

Mjekët italianë në spitalin SALUS e kanë hasur problemin e këmbës së sheshtë tek disa pacientë të vegjël në moshë. Duke u konsultuar edhe me prindërit ata kanë vendosur të bëjnë një ndërhyrje kirurgjikale për të mënjanuar tërësisht problemin.

Është krijuar mendësia se problemet për deformimin e këmbës tek femrat shkaktohen nga takat e larta të këpucëve, megjithatë specialistët thonë se këpuca nuk krijon patologji të këmbëve, ajo mund ta avancojë, por jo ta përcaktojë problemin.

Në të vërtetë janë të shumtë personat me këmbë të sheshtë, por shpesh ky problem neglizhohet ose shihet thjesht si një problem estetik. Në fakt këto lloj deformimesh korrigjohen, por në rast se ndërhyrja nuk kryhet, me rritjen e moshë së personit që ka problemin e këmbës së sheshtë, shtohen edhe ndërlikimet, edhe deformimet e këmbës.

Ndërhyrja parashikon futjen e një korrektori në këmbë, i cili ka formën e një vide që zgjerohet. Ndër vite teknologjia dhe shkenca kanë ecur shumë hapa përpara dhe një nga rezultatet më të dukshme është se pacienti nuk duhet të kryejë një ndërhyrje të dytë kirurgjikale për ta hequr vidën.

Ky operacion bën të mundur rikostruksionin e formës së këmbës dhe eliminimin e dhimbjes. Pas operacionit dhe fazës së rekuperimit pacienti do ta lëvizë këmbën normalisht dhe do të këtë funksionin e saj të plotë. Në rast se problemet me këmbën dystaban janë të avancuara dhe kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, sa më shpejt të kryhen, aq më shumë shmangen problemet tek pacienti.

Top Channel