Femrat kanë më shumë rendiment në punë

27/02/2013 18:10

Punonjëset  femra punojnë më gjatë dhe më shumë se kolegët e tyre meshkuj, në bazë të një studimi të pavarur të Institutit Ponemon, të publikuar të mërkurën.

Studimi ishte i adresuar për të zbuluar një tjetër të dhënë, atë se si punojnë punonjës të ndryshëm me filtrat e privacisë “3M”, panelë që vendosën në monitorë dhe janë në gjendje t’i tregojnë të dhënat vetëm përdoruesit të kompiuterit.

Megjithatë, gjatë këtij studimi, u zbuluan disa të dhëna të rëndësishme, që vërtetuan se femrat ishin në gjendje që të punonin më gjatë dhe me më shumë produktivitet se gjinia tjetër.

Të 274 pjesëmarrësve në studim, 53% femra dhe 47% meshkuj, iu kërkua që të punonin secilit dhjetë minuta pa ndërprerje në fusha që i përkisnin. Të gjitha fushat lidheshin me shërbimet financiare, produkte konsumi, çështje të shëndetit dhe energjisë.

Studimi tregoi se femrat punonin realisht gjatë 10-minutëshit për një kohë prej 4,9 minutash, ndërsa meshkujt për 4.3 minuta.

Përsa i përket punës në grup, dy femra punonin realisht mesatarisht 4.0 minuta, në 10 minuta qëndrim përpara kompiuterit, ndërsa meshkujt 3.6.

Megjithatë, prania e një femre, e bën edhe më të dobët performancën e meshkujve, aftësia e të cilëve për punë, në një situatë grupi mashkull-femër, bie në 2.6 minuta në dhjetë të tilla mesatarisht.

Jo vetëm që përqendrimi dhe rendimenti i femrave, sipas këtij studimi, është më i lartë, por edhe përkushtimi i tyre ndaj detyrës është më i lartë.

Në një pushim fiktiv, të cilit i jepej punonjësve në këtë studim, vetëm 38% e femrave kalonin kohën e tyre të pushimit larg vendit të punës, me pjesën më të madhe që qëndronin në vendet e tyre të punës, ndryshe nga 52% e meshkujve, të cilët preferonin të largoheshin.

Top Channel