Shqiptarit i ngel pedali i gazit shtypur me 200 km/h

26/02/2013 17:25

Një 16-vjeçar shqiptar në Teksas, SHBA, i shpëtoi në mënyrë të pabesueshme një aksidenti me shpejtësi të pabesueshme, të ndodhur pasi makina e tij pësoi një avari dhe pedali i gazit i mbeti shtypur.

Ngjarja e ndodhur në muajin dhjetor fitoi një vëmendje kombëtare në SHBA ditën e martë, pasi një televizion kombëtar transmetoi historinë.

Elez Lushaj ishte duke udhëtuar me mjetin e tij, një Hyudai Electra, kur pedali i gazit mbeti i shtypur, duke bërë që mjeti të kapte shpejtësinë maksimale të arritshme prej tij, 200 kilometra në orë.

Defekti, një prej më të rrallëve të njohura ndonjëherë, tmerroi të riun, i cili telefonoi policinë për ndihmë.

Megjithatë, përballë një kërkese të tillë të padëgjuar, operatorët e policisë nuk ishin në gjendje që të ofronin një zgjidhje reale. Ata u përpoqën të lidheshin me kompaninë “Hyundai” për këshilla dhe kërkuan zgjidhje në internet, pa gjetur asnjë të tillë.

Siç dëshmoi në dokumentar polici që iu vu pas makinës së Lushajt, pa mundur t’i qëndronte dot gjatë për shumë kohë, shpresa e vetme e tij ishte që shqiptarit t’i mbaronte karburanti.

Pas disa manovrash të pabesueshme, për të shmangur përplasjen me 200 km/h në rrugë dhe 90 minutash të çmendura në drejtimin e makinës “së çmendur”, në një tentativë për t’i shpëtuar një përplasje me një kamion, Elezi humbi kontrollin e automjetit, doli nga rruga dhe u rrotullua katër herë.

Në mënyrë të pabesueshme, Lushaj nuk mori asnjë plagë serioze nga ky aksident dhe realizoi një rikuperim të shpejtë në spital. Megjithatë, dy muaj më pas, 16-vjeçari dëshmoi se vazhdon të ndiejë dhembje të befta dhe të pashpjegueshme në shpinë, gjithsesi një kosto shumë e vogël për aksidentin në të cilin mbeti i përfshirë.

Top Channel