Gjelbërimi i taracave

24/02/2013 16:20

Vlerësimi strategjik i mjedisit për planin e ri rregullues përcakton se hapësirat e gjelbra  ekzistuese nuk lejohet të cënohen. Këtë thekson një nga autorët e kësaj strategjie.

“Ne themi këtu, në faqen 46 të vlerësimit strategjik mjedisor, që planifikimi i zonës urbane nuk duhet të prekë sipërfaqe të gjelbërta, veç në raste të jashtëzakonshme, që do të thotë se kjo është taksative dhe e padiskutueshme”, tha Romeo Hanxhari, bashkëautor i VSM.

Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, brenda qytetit ku nuk mund të krijohen hapësira të gjelbra, vlerësimi strategjik i mjedisit sugjeron tarracat e gjelbra, por për ndërtimet e reja që do të bëhen, të cilat duhet ta projektojnë që në fillim një gjë të tillë.

“Tarracat e gjelbërta ose ‘Green Roofs’ është një teknikë e përdorur në arkitekturën miqësore të mjedisit, ose në rekoarkitekturë, është parimi mjedisor që në çdo lloj sipërfaqe ose të merret ose të jepet energji apo materie. Pra çatinë mund ta veshësh ose me panele diellore dhe të marrësh energji të ripërtëritshme, ose ta veshësh me gjelbërim, por natyrisht që nuk mund të bëhet në tarracat ekzistuese të pallateve, apo në çatitë ekzistuese të tyre. Kjo, pasi është një teknologji e veçantë. Ne e kemi vënë si një veprim operacional, që mund dhe duhet të futet në standardet e ndërtimit edhe në Tiranë, veçanërisht për ndërtimet e reja”, shtoi ai.

Për pallatet ekzistuese sugjerohet praktika e ndjekur nga administrata paraardhëse në godinën e Bashkisë.

“Këtë e ka zbatuar së pari zoti Rama në Bashkinë e Tiranës, ka krijuar një tarracë të gjelbëruar, pra ka vendosur vazo me bimësi aty prej disa vitesh dhe ka bërë shumë mirë. Kjo mund të aplikohet edhe në tarracat e institucioneve, apo të shkollave, etj”, përfundoi Hanxhari.

Ai thekson se këto janë opsione që i ofrohen Bashkisë së Tiranës. Sipas Hanxharit, këto hapësira, ndonëse e japin efektin e tyre në rritjen e cilësisë së ajrit, nuk llogariten si shtim i hapësirës së gjelbër në raportin metër katror për banorë.

Top Channel