25 mijë euro për të notuar në lumë

23/02/2013 00:00

25 mijë euro për t’u hedhur në ujërat e një lumi super të ndotur në provincën lindore të Zheijangut në Kinë. Kjo është forma e re e protestës së ambientalistëve ndaj ndotjes galopante që ka përfshirë zonën.

Oferta e cuditëshme është bërë nga një biznesmen vendas. Ai premton 200 mijë huan (25 mijë euro) për këdo që do të notojë për 20 minuta në ujërat e lumit që kalon përmes qytetit, mes shisheve plastike dhe mbetjeve të tjera urbane.

Pavarësisht shumës së majme të parave, asnjë person nuk ka bërë një hap përpara për të sfiduar biznesmenin. Ky i fundit akuzon qeveritarët vendorë se në rrugën drejt industrializimit të rajonit kanë lënë pas dore mjedisin duke e shkatërruar atë.

Vetë banorët vendas akuzojnë një fabrikë të prodhimit të gomave të makinave për ndotjen e lumit. Ata thonë se para nisjes së aktivitetit të fabrikës, lumi ka qenë i pastër, ndërsa me nisjen e aktivitetit, kjo sipërmarrje derdh të gjitha mbetjet kimike të rrezikshme në ujërat e tij.

Kina është ndër vendet me ndotjen më të madhe, si në ambient ashtu edhe të ajrit. Në Pekin matjet e ajrit flasin për një qytet të pabanueshëm, me ndotje galopante, aq sa autoritetet në përpjekje për të reduktuar emëtimin e gazrave dhe grimcave të dëmshme në hapësirë, vendosën të ndalojnë përdorimin e zgarave.

Top Channel