Në Nju Jork është zhvilluar një nga evenimentet më të rëndësishme përsa i përket botës së lojrave elektronike.

Playstation ka prezantuar PS4-ën. Platforma e re do të dalë në shitje për Krishtlindjet e vitit 2013, pasi parardhësi PS3 shiti 70 milionë njësi në mbarë botën.

Playstationi i ri synon të bashkojë të ashtuquajturën “Playstation Generation”, ose ai brez i rinisë i rritur mes lojrave modeste, si dhe djemtë e sotëm që janë të apasionuar pas Facebook-ut, Twitter-it dhe që nuk i heqin sytë nga telefonat smart.

Me pak fjalë, PS4-a do të shkojë përtej hardware-ve teknike, do të ketë një arkitekturë X86, GPU PC, 8 GB memorie GDDR5 dhe hard disk lokal, për të mos harruar që do të jetë gjithmonë i lidhur online dhe më social.

Jo më kot fjalët më të përsëritura nga Andrew House, president i grupit “Sony Computer Entertainment”, kanë qenë “social, mobility, personalized”.

Pritja ishte e madhe, marketingu i kompanisë japoneze kishte filluar prej kohësh, duke tërhequr vëmendjen e adhuruesve të botës së lojrave elektronike, por edhe duke i mbajtur ata nën mister.

Pikërisht mbajtja sekret e të dhënave kishte futur shtypin ndërkombëtar në një luftë hamendësimesh se cilat do të ishin karakteristikat e platformës së re.

Top Channel