Ky djalë ua beson duarve të tij çdo krijim. Edhe pse shpikjet e tij nuk janë marka, për nga funksioni krahasohen me prurjet më të fundit të teknologjisë.

Berti Skënderasi është një i ri korçar që pasionin për fotografinë dhe elektronikën e ka gërshetuar në një. Që i vogël atij i pëlqente të krijonte dhe ndërtonte qarqe dhe sende të dobishme. Por, tanimë këtë dhunti e ka zhvilluar në funksion të fotografisë.

Shoku i tij, Ilir Hasa, tregon: “Ai është pasionant. E nisi si hobi dhe tani prodhon me këmbëngulje produkte të mirëfillta.”

Aftësia e 31-vjeçarit për të përshtatur dhe ndërtuar objekte, pajisje e ndriçues, lë pa fjalë miqtë e tij që për çdo herë u prezanton një ide të re.

Një tjetër shok i Bertit shprehet: “E çuditshme është se kur të flet për projektet e tij, të duket si diçka e parealizueshme, por kur e bën, nuk ke çfarë të thuash.”

Dikur me fantazinë fëminore, Berti krijonte radio dore, altoparlant, drita… Sot, argëtimin e moshës e ka kthyer në shërbim të profesionit. Për Bertin, çdo lloj materiali ështe i dobishëm. Në duart e tij asgjë nuk shkon kot.

“Përpiqet të sajojë me elemente pa vlerë, i shfrytëzon për t’i përshtatur sipas projektit që do të bëjë dhe rezultati është i paimagjinueshëm”, deklarojnë shokët e tij.

Një nga idetë fantastike të materializuara në studio është një pajisje për realizimin e videove timelapse. Ajo kryen fotografi në sekuenca kohore dhe më pas montohen si video e mirëfilltë.

“Përpiqet që një produkt shumë të shtrenjtë ta sjellë me çmim të lirë. Përpiqet që teknologjikisht të sfidojë teknologjinë”, sqaron Iliri.

Një prej projekteve që Berti ka nisur dhe pret të përfundojë së shpejti është një Multi Touch Table. Ndërkohë që në sirtar ruan edhe shumë ide të tjera që premton t’i materializojë së shpejti sepse motoja e tij është: çdo gjë që imagjinon, është reale.

Top Channel