Alona dhe Enea, një çift që në pamje të parë duket se janë prerë për njëri-tjetrin. Vajza ukrainase dhe djali shqiptar u njohën vite më parë, kur ishin studentë në Greqi. Ajo studionte gjuhën greke, ndërsa ai juridik, por sa i përket dashurisë së tyre nuk mbetet shumë për të mësuar: një dashuri e destinuar për martesë.

Një dasmë ndërkombëtare për nga të ftuarit, por tipike ukrainase.

Nuk është e thjeshtë në fakt të jesh një dhëndërr në Ukrainë. Më parë duhet të kalosh në disa sfida. Si përshembull: nuk duhet të ngatërrosh nusen.

Ndërsa dhëndrri pret që të shohë nusen, në Ukrainë mund të ndodhë që me ndonjë fustan të ngjashëm të sjellin dikë tjetër dhe dhëndrri duhet të paguajë për nusen e vërtetë nëse e do vërtetë.

Ndërkohë, një bukë e gatuar posaçërisht mbahet nga babai i dhëndrrit dhe çifti sigurisht duhet të cimbisë pak në të për të pasur një jetë plot bereqet.

Por kjo nuk është aq interesante sa tradita e peshqirit: Një peshqir i shtrirë përdhe nuk është thjesht një peshqir. Por, një orakull që tregon se këmba e të cilit e shkel i pari, do jetë edhe drejtues i familjes.

Të martohesh me një parnter të huaj e të mos dish mirë traditat shpeshherë del me humbje. Nusja mund ta mbajë për vete këtë të fshehtë e të përfitojë nga rasti për të qenë “e parë”.

Një buqetë me lule për themeluesit e qytetit është gjithmonë pjesë e traditës për mbarësi në martesë, pavarësisht nga moti i ftohtë dhe temperatura   -10 gradë. Apo një erë që t’i hedh lulet edhe padashur.

Një dasmë në Ukrainë ka prezantues. Një person i paguar për të moderuar të gjithë ceremoninë. Puna kryesore e tij: duhet të prezantojë me lezet të gjithë listën e të ftuarve që do mbajnë fjalim, do recitojë ndonjë poezi apo ndonjë pjesë që e kanë krijuar enkas për urimin e çiftit të ri. Në Ukrainë, pothuaj të gjithë dasmorët përgatiten për këtë dhe dasma e Alonas dhe Eneas kishte veçse 150 të ftuar.

Dhe urimet nuk kanë shkuar kot gjithsesi. Një familje e bukur, me dy vajza që s’kishin se si të mos reflektonin hijeshinë e prindërve.

Top Channel