Kalivaçi, punimet jashtë afateve

20/02/2013 19:45

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka hartuar një raport mbi ecurinë e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të parë me konçension në vend, atë të Kalivaçit.

Në shkresën zyrtare të datës 12 qershor 2012 që i ka dërguar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore del me konkluzionin se kompania konçesionare italiane “Becheti” nuk ka realizuar shumicën e punimeve, në një kohë kur hidrocentrali duhet të ishte në fazën e prodhimit.

“Punimet për ndërtimin e këtij hidrocentrali janë në një fazë të prapambetur për sa i përket ecurisë së tyre. Nga monitorimet periodike që kemi kryer, kemi konstatuar se ecuria e tyre është jashtëzakonisht e ngadaltë. Theksojmë se duke u mbështetur në grafikun e punimeve, ky hidrocentral duhej të ishte në fazën e prodhimit, por ndërkohë nga monitorimi në terren rezulton se nga punimet e evidentueshme, punimet e realizuara janë vetëm punime gërmimi dhe disa mbushje në trupin e digës. Konçesionari ka dërguar situacionet për punimet e realizuara deri më datë 30.10.2009, të firmosura nga mbikqyrësi i punimeve ING. Engjell Cici. Shoqëria nuk raporton për punime të kryera më vonë se kjo datë”, thotë raporti.

Por, ajo që ngre më shumë pikëpyetje lidhur me këtë projekt është fakti, sipas raportit në fjalë, se kompania nuk zotëron një projekt-zbatimi të firmosur nga projektuesi, një tjetër kusht për punimet ky, si edhe nuk ekziston një datë e caktuar për nisjen e punimeve.

“Për këtë HEC kemi në dispozicion një kopje të projekt-zbatimit, por kjo kopje nuk është e firmosur nga projektuesi. Projekt-zbatimi i është kërkuar METE nga ana jonë me anë të shkresës nr. 388, datë 09.02.2011, mbi projektet e zbatimit për HEC-et e miratuara nga METE dhe shkresën nr. 2038 datë 20.03.2012. Këtyre shkresave METE nuk i është përgjigjur”, thotë raporti.

Konçesionari nuk ka sjellë aktin e fillimit të punimeve, vazhdon më tej raporti, por për leximin e grafikut të punimeve, si datë fillimi i këtij grafiku meqënëse konçesionari është pajisur me leje ndërtimi është marrë afati maksimal që parashikon ligji, pra 30 ditë nga zbardhja e kësaj leje.

AKBN thekson se shoqëria italiane ka dërguar proçesverbalin e përfundimit të piketimit më datë 2 shtator 2008, të firmosur nga topografi, drejtuesi i kantierit dhe nga drejtori i urbanistikës së Qarkut të Gjirokastrës, por ky proçesverbal nuk është firmosur nga mbikëqyrësi i punimeve.

Në konkluzionin e raportit, AKBN thotë se në momentin e monitorimit po punohej për rimontimin e impiantit të fraksionit të inerteve, por nuk po punohej për ndërtmin e digës.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se ka kryer kontrolle të herëpashershme, duke vënë në dukje problemet dhe mangësitë e shumta të HEC-të të Kalivaçit, si dhe ka kërkuar nga kompania italiane që t’i vihet në dispozicion dokumentacioni përkatës sa i përket situacioneve të punimeve të kryera, dokumentacioni financiar lidhur me shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit etj, por siç duket edhe në këtë raport të fundit kërkesat e agjencisë nuk kanë gjetur përgjigje.

Në këtë mënyrë, i takonte Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të shpjegojë zyrtarisht gjendjen e konçesionit të Kalivaçit, gjë të cilën ajo ende nuk e ka bërë.

Këto konkluzione bëhen publike pas kronikës në Top Channel, ku përmes një historiku të shkurtër vërehej se ishin tejkaluar afatet për ndërtimin e hidrocentralit, kontrata konçensionare e të cilit ishte negociuar tre herë.

Herën e tretë, siç pranohet nga letra e vetë përfaqësuesve të “Becheti”, financuesi gjerman “Deutsche Bank” ishte tërhequr nga financimi i projektit për shkak se, siç thotë në letër përfaqësuesi i “Becheti”, banka nuk ishte më e interesuar në energjitë e rinovueshme.

Më parë, “Becheti” dhe firma e njohur italiane e energjisë, “Enel”, kishin nisur një kalvar të gjatë gjyqesh mes tyre, pikërisht për ndërprerjen e marrëdhënies për konçesionin e Kalivaçit. Gjatë kësaj kohe, një nënkontraktor në Shqipëri po ashtu kishte nisur një tjetër proçes ligjor me kompaninë italiane, me pretendimin e mospagesës për punimet e kryera.

Kompania “Becheti” e quajti lajmin të pavertetë, të paplotë dhe që nuk i përgjigjej realitetit, pa sqaruar tejkalimin e afateve dhe punimet e ngadalta. Top Channel iu drejtua përfaqësuesve të kompanisë për sqarimin e pozicionit të tyre, por ata kanë refuzuar të bëjnë komente.

Top Channel