SHISH: Kërkojmë “007”

19/02/2013 22:35

Emërimi i Visho Ajazit në krye të SHISH, eksperienca, përfshi të jetuarit për më shumë se 10 vjet në Kanada, ku ka patur mundësi të shohë si funksionojnë në publik shumë institucione, ndoshta edhe shërbimet sekrete, duket se po shërbejnë për metoda të reja rekrutimi, më moderne.

Këtë e dëshmon ky njoftim i pazakontë në faqet e gazetës “Shqip”. Mbase për herë të parë në historinë e spiunazhit shqiptar, SHISH njofton në media publikisht nisjen e një fushate rekrutimi për “007”-at shqiptarë.

Një mënyrë publike për të thirrur nën armë, nëse mund të cilësohet kështu, çdokënd që ndoshta mes idhujve të tij ka edhe James Bond. Imagjinatën e nxit edhe vetë përmbajtja e njoftimit të publikuar, i pazakontë jo vetëm në formë.

Kriteret bazë janë mosha nën 35 vjeç, arsimi i lartë, njohja e gjuhës angleze, por preferohen ata të cilët flasin gjuhë të rralla, dhe të kenë njohje të mirë të kompjuterit. Të interesuarit, thotë njoftimi, duhet të paraqesin aplikimet për punësim në degët e SHISH, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, deri më datë 10 Mars 2013.

Dhe si për të grishur edhe më shumë kandidatët rekrutë, njoftimi sqaron se personat e përzgjedhur nga kjo formë rekrutimi do t’i nënshtrohen një trajnimi brenda dhe jashtë Shqipërisë, në bashkëpunim me agjencitë partnere, e më pas do të vendosen në dispozicion të SHISH.

Në fakt, ky njoftim i paprecedentë i shërbimit sekret shqiptar nuk është diçka e pazakontë për shërbimet sektete në botë. Mjafton t’i hedhësh një sy faqes së shërbimit sekret britanik, apo atyre të vëndeve të tjera, për të parë se çdo ditë publikohen vendet vakante për agjentë sekret, tejet të lakmuar, për vetë sfidat e sigurisë që po kalon bota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA