Ligji anti-duhan redukton lindjet e parakohshme

19/02/2013 16:20

Ndalimi i duhanpirjes në ambientet publike ka ndikuar në reduktimin e numrit të lindjeve të parakohshme në disa vende të Europës Perëndimore ku ligji anti-duhan është në zbatim.

Kështu vlerësoi një studim shkencor i kryer në Belgjikë, i pari që gjen një lidhje të qartë midis duhanpirjes dhe problemeve në mbartjen e një shtatzanie të suksesshme.

Kërkimi, i udhëhequr nga doktori Tim Navrot, i Universitetit të Haselt në Belgjikë, analizoi të dhënat e 606 877 foshnjeve, të lindura nga 24-44 javë, midis viteve 2002-2011.

Lindjet e parakohshme u konsideruan të gjithë ato lindje të ndodhura përpara javës së 37 të shtatzanisë (8 muaj e një javë).

Në Belgjikë, ligji anti-duhan hyri në fuqi në tre faza. Në vitin 2006, u ndalua duhanpirja në vendet publike dhe vendet e punës, pasuar nga ndalimi në restorante në janar 2007 dhe së fundmi edhe në bare e pabe në janar 2010.

Studimi zbuloi se numri i lindjeve të parakohshme pësonte një reduktim gradual, menjëherë pas datave që hynte në fuqi zbatimi i njërës prej fazave të ligjit anti-duhan.

Në krahasim me mesataren kombëtare të lindjevë të parakohshme, pas 1 janarit 2007 u regjistrua një rënie prej 3,13% e lindjeve përpara muajit të nëntë, ndërsa pas janarit 2010, edhe një rënie e mëtejshme me 2,65%.

Duhanpirja është një prej faktorëve që ndikojnë në një lindje të parakohshme. Faktorë të tjerë të rëndësishëm janë mosha e nënës, probleme të ndryshme fizike gjatë kohës së shtatzanisë, ndotja e ajrit dhe statusi socioekonomik.

Top Channel