SHBA, rekord i sulmeve të peshkaqenëve

14/02/2013 16:20

Viti 2012 shënoi një numër rekord të sulmeve të peshkaqenëve ndaj njerëzve në brigjet amerikane, informoi të enjten e përditshmja “US Today”.

Sipas statistikave të grumbulluara prej një shekulli, viti i shkuar mban vendin e parë për sulmet e konsideruara si të paprovokuar nga grabitqarët.

Këto të dhëna u publikuan nga Universiteti i Floridës, që në grumbullim të informacioneve, arriti të përcaktonte se gjatë të gjithë vitit kishin ndodhur 53 sulme të peshkaqeneve, pothuajse dyfish nga viti i mëparshëm, me vetëm 32 raste në 2011-n.

Zonat më të rrezikshme për të notuar janë brigjet e Floridës, ku u regjistrua gjysma e sulmeve, pasuar nga Hauai, Kalifornia dhe Karolina e Jugut.

Ekspertët paralajmëruan se peshkaqenët mund të bëhen gjithmonë e më agresivë dhe të afrohen gjithmonë e më pranë bregut në të ardhmen, pasi rritja e aktivitetit të peshkimit e bën gjithmonë e më të vështirë që ata të sigurojnë ushqimin e nevojshëm.

Top Channel