Mbase dikur mjaftonte të blije një makinë e ta ngisje. Mbase dikur vaniteti kishte të bënte me madhësinë e makinës, fuqinë motorike apo koston e saj.

Ama ka kohë që kjo nuk mjafton. Për shumë djem është personalizimi sa më i madh ajo që i jep vlerë makinës. Kemi gjetur disa makina që sot në treg nuk do kishin asnjë rëndësi. Prodhime që kanë më shumë se 20 vite, por edhe makina të reja që i nënshtrohen asaj që quhet tuning. Besmiri, Vini dhe Armando janë drejtuesit e mjeteve që kanë vështirësi t’i shpjegojnë siguracionit pse makina e tyre 20-vjeçare kushton aq shumë. Por çfarë kanë bërë saktësisht këta djem.

Erioni shpjegon: “Ndërhyrjet ia rrisin vlerën sepse makina ka pjesë origjinale. Kjo makinë ka shumë detaje të vjetra dhe janë gjëra që kushtojnë. 1300 dollarë kushton vetëm një disk.”

Makina e Vinit është një model Golf aq i vjetër sa e bleu në varreza e jo në tregjet e zakonshme, por me punë është kthyer, duke përdorur fjalët e Vinit, në një bishë: “Është rally e vitit 1989. Ia kam gjetur dikujt që nuk ia dinte aspak vlerën dhe ia bleva menjëherë.”

Armando është më modesti nga djemtë. Moda e tuning ka prekur pjesë të brendshme të makinës së tij të re që megjithëse ishte me kilometrazh zero nuk i mjaftonte.

Hobi i këtyre djemve është pikërisht makina dhe vështirësia e vërtetë nuk është gjetja e parave për të blerë mjetin, por puna e madhe që duhet për ta modifikuar kaq shumë.

“Shndërrimi i kësaj makine më ka marrë 1 vit e gjysmë, kurse për paratë nuk e di. Më ka humbur llogaria“, thotë Erioni.

Por, kur ka filluar dëshira për të marrë një makinë dhe për të anashkaluar modelin që ka pasur ndërmend inxhinieri duke i vënë vulën personale.

Erioni tregon: “Pasioni për makinat ka filluar që në moshë të vogël. Ma ka trashëguar babai.”

Këto makina kanë një vlerë tregu, gjithashtu kanë dhe një kosto për modifikimet. Cfarë do të ndodhte nëse oferta do të ishte mjaftueshëm e mirë?

“Vlera shkon në 10 mijë euro, por nuk e shes kurrë”, përgjigjet njëri nga djemtë.

Mbi të gjitha, arsyeja kryesore për të cilën duhet makina, sigurisht pas nevojës për transport, është seksi i kundërt. Cfarë do të thotë një makinë kaq e veçantë?

Erioni dhe Ervini shpjegojnë: “Nuk e kemi bërë për femrat, por për veten. Femrat nuk e kuptojnë, thjesht mund të tërhiqen nga pamja. Femrat pëlqejnë më shumë makinat e reja.”

Por çdo hobi ka koston e vet dhe ky, përveçse një hobi që do kohë, ka nevojë për shumë para’: “Është goxha e vështirë pa mbështetje. Kërkoj në internet, nëpër varreza, me anë të shokëve. Kështu i gjej pjesët për makinën.”

Nëse do që makina të jetë vërtetë e jotja dhe nëse po kërkon një eksperiencë të jashtëzakonshme ngarjeje, kjo është rruga.

Top Channel